Qytetarët shqiptarë duan një reformë të vërtetë elektorale. Në këtë konkluzion del anketa e bërë nga Instituti i Studimeve Politike ku mbi 90% e personave të pyetur, duan që politika t’u japë atyre mundësinë të zgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin nëpërmjet listave plotësisht të hapura.
“Ne pamë që përgjigjet që dhanë qytetarët janë në kontrast të thellë me atë çfarë shohim në parlament dhe jetën politike. Pati përkrahje masive, pothuajse unanime tek vota preferenciale, në mënyrë që qytetari të zgjedh deputetin dhe jo partia të bëj renditjen.”
Afrim Krasniqi - Instituti i Studimeve Politike
Anketa e ISP nxjerr në pah dëshirën e qytetarëve shqiptarë edhe disa aspekteve të tjera të reformës zgjedhore, si vota e diasporës apo thellimi i dekriminalizimit. Votimi dhe numërimi elektronik mbështetet nga 96% e të anketuarve.
“Pati unanimitet edhe për largimin nga politika të individëve që jo vetëm janë pjesë e dekriminalizimit apo edhe individët që janë non-grata. Pati unanimitet për votën e diasporës duke e konsideruar si një e drejtë normale kushtetuese dhe si pjesë e familjeje, çdo familje shqiptare ka një njeri në parlament.
Afrim Krasniqi - Instituti i Studimeve Politike
Për votën e diasporës, tashmë edhe si detyrim kushtetues, Afrim Krasniqi që drejton Institutin për Studime Politike, është i mendimit se politika ka vendosur një konsensus të heshtur për ta pamundësuar atë.
“Aktorët nuk janë të prirur për t'i besuar diasporës, jo për shkak të mekanizmit se si do të votojë diaspora, por për shkak se vota e diasporës mund të ndryshojë jetën politike në Shqipëri kështu që ka një konsensus të heshtur për të pamundësuar votën e Diasporës.”
Afrim Krasniqi - Instituti i Studimeve Politike
Reforma elektorale në vetvete ka ngecur në parlament pasi konflikti politik i krijuar e ka lënë në harresë. (A2 Televizion)