Vetëm pesë minuta... kaq kohë iu nevojit mazhorancës për të hapur e mbyllur një seancë ku miratoi pa prezantuar buxhetin për vitin 2024.
Shkak për këtë seancë të paprecedentë parlamentare ishte aksioni i opozitës, e cila nën moton për të mos lejuar shumicën të zhvillojë në normalitet seancat plenare, shoi dy ditë diskutime.
Demokratë e socialistë u paraqitën në sallë që në orën 09:00, secila palë me strategjinë e saj.
Opozitarët këtë herë gjetën edhe më shumë gardistë në sallë. Por numrat e shtuar të gardistëve nuk arritën të zbraznin xhepat e demokratëve nga flakadanët.
Flamur Noka i ndezi i pari, pasuar nga disa të tjerë duke krijuar një ylber tymi në parlament. Nga aktet demostrative, opozita për pak sa nuk i vuri flakën sallës me gjithë deputetë brenda.
Kjo ngjarje duket se emocionoi kryetaren e Kuvendit e cila nga 73 socialistë në sallë, nxori 83 vota “pro.” Me votat e Nikollës u mbyllën edhe punimet e Kuvendit, ndërsa Berisha shpalli fitoren e pakicës.
“Korri një fitore të re në betejën e saj pa kthim pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese aty.”
Votimi i akteve nuk ishte surprizë.
“Hajdutët me mandate parlamentari. Brenda grupit të PS-së i kanë votat për të miratuar ligjet. Keni durim dhe do të shikoni hap pas hapi aksionin e opozitës.”
Mazhoranca minimizoi situatën, duke lënë qartë të kuptohet se do të ndjekin të njëjtën strategji edhe në seancën e radhës, kur pritet miratimi përfundimtar i buxhetit dhe paketës fiskale.
Ajo që ka shqetësuar PS-në duket se është drejtuesi i SPAK, Altin Dumani me qëndrimin e tij publik, se komisionet hetimore të kërkuara nga opozita nuk pengojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme për të njëjtat çështje.
“Drejtuesi i SPAK të bëjë drejtuesin e SPAK, Anëtarin e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë anëtarët e Gjykatës. Ne nuk kemi krizë, kriza është mes opozitës”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. (A2 Televizion)