Krimi zgjedhor, Braho: Pa prova, nuk mund të ngrihen akuza

Nga A2 CNN
15 Korrik 2026, 11:45 | Politikë

Krimi zgjedhor, Braho: Pa prova, nuk mund të ngrihen akuza

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar në Komisionin e Ligjeve se krimi zgjedhor mbetet një fenomen shqetësues, por theksoi se procedimet penale dhe akuzat ngrihen vetëm mbi bazën e provave.

Deklarata e tij erdhi në përgjigje të pretendimeve të deputetit demokrat Ivi Kaso për një standard të dyfishtë të SPAK në trajtimin e krimit zgjedhor. Sipas tij SPAK nuk ka hezituar të vendosë masa të sigurimit personal ndaj liderëve të opozitës në periudhë zgjedhore, duke përmendur arrestin shtëpiak për Sali Berishën dhe arrestin në burg të Ilir Metën, por ndërkohë sipas Kasos, SPAK nuk ka goditur grupet kriminale që kanë ndikuar në zgjedhje.

“Standard të dyfishtë që keni përdorur sa i përket krimit zgjedhor ku vërehet në fushatë zgjedhore, në raport me atë që ka qenë standardi i lartë që keni vendosur nga ana juaj, ndaj politikanëve të opozitës qoftë edhe në periudhë zgjedhore. Ju nuk keni patur asnjë lloj problemi për të marrë masa sigurimi personal ndaj liderëve të opozitës në vit zgjedhor, qofshin ndaj arrestit në shtëpi të Berishës, apo arrest me burg të Metës. Të drejta, apo të padrejta i ka vlerësuar gjykata, por ky ka qenë standardi i lartë që keni vendosur ju. Në periudhë zgjedhore, ata që janë evidentuar si persona problematikë që kanë influencuar zgjedhjet, rasti i goditjes së bandës të Durrësit, letër-porositë që janë pa periudhë zgjedhore, janë toleruar nga ana juaj, nuk e dimë ka qenë pamundësi mjetesh, apo diçka tjetër dhe janë lejuar ta kryejnë krimin zgjedhor dhe janë goditur për arsye të tjera që s’kanë lidhje me zgjedhjet. Ky standard i dyfishtë mendoni se demotivon krimin zgjedhor, apo e motivon”, pyeti Kaso.

Braho hodhi poshtë ekzistencën e standardeve të dyfishta dhe theksoi se SPAK bazohet në prova dhe jo në perceptime.

“Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Është një fenomen që në pajtohemi me të. Nuk është krijuar brenda 1 ose 2 vitesh, por ka një periudhë të gjatë që është krijuar. Çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Unë nuk shoh një standard të dyfishtë për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës. Mendoj se ky është një perceptim. Por ne nuk nisemi në perceptime, por atë që ka në dosje. Ju siguroj që nëse dosjet kanë provat, kushdo që të jetë, nga secila anë do mbajë përgjegjësi”.

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve masat e marra për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2021-2025 institucioni ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me dyshime për vepra penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale.

Braho tha gjithashtu se SPAK po punon për forcimin e hetimeve financiare, gjurmimin e pasurive, përdorimin e teknologjive të reja dhe analizimin e krimit kibernetik e kriptovalutave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos