“Flakadanët i tund Salianji, por flakën ua ndez Saliu”, Elisa Spiropali ironizon Berishën

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2023, 18:39 | Politikë

“Flakadanët i tund Salianji, por flakën ua ndez Saliu”,

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot pas akteve të opozitës në Kuvend, ku tha se në një kohë normale kjo do të ishte një skenë për të qeshur.

Spiropali ka ironizuar ish-kryeministrin Sali Berisha, ku i drejtohet duke i thënë “shihe veten sërish në Facebook, ai dëshmon fytyrën tënde te vërtetë.

Më tej, duke iu referuar zhvillimeve në seancën e sotme plenare ku u miratua në parim projektbuxheti 2024, Spiropali tha se në një kohë normale kjo do të ishte një skenë për të qeshur.

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit

Në një kohë normale kjo do të ishte një skenë për të qeshur. Asgjë nuk është kështu siç duket. Flakadanët ka javë që i tund Salanji, por flakën ua ndez Saliu. Tymueset i hedh Saimiri dhe Bledioni, por dorën ua lëviz po Saliu. Çetës së zemëruar të opozitarëve iu prin gjithëherë Flamuri, por shtiza e tij është e do të mbetet Doktori. Gazi me ngjyra që mbush sallën është i Gazit, por gazin që i shpërthen nga gjithë portreti i tij, nuk e mban dot gjithashtu Doktor Saliu.

Të gjithë bashkë janë bërë gaz i botës sonë të vogël dhe me shumë halle, që kërkojnë t’ia numërojnë si një hall të pamerituar edhe hallet e Sali Berishës, ashtu siç është bërë çdo ditë të lume e ditë për ditë në këto 32 vjet pluralizëm.

Do të duhej që sot të flisnim për pensionistët. Për ata qindra mijëra gjyshe e gjyshër që presin t’iu shpërblehet me dinjitet djersa e hedhur në vitet e panumërt të punës. Do të duhej të flisnim për bebet që e nisin udhën e jetës me një shpërblim simbolik si shenjë mirëseardhjeje në shoqërinë e madhe shqiptare. Do të duhej të flisnim për pagat e mësuesve, mjekëve, ushtarakëve e madje edhe të prokurorëve dhe gjykatësve. Për shkolla dhe rrugë. Për qëndra shëndetësore dhe ujëmbledhës e gjithçka tjetër që kërkon financim nëpër Shqipëri, por në vend të tyre, me gazin e Gazit do të duhet të qajnë të gjithë për hallin e Saliut. Që për herë të parë, ky prokuror i prokurorëve dhe gjykatës i çdo gjykatësi në Shqipëri, ky kryeakuzator i gjithkujt, dyshohet si mëkatari që bëri të pasur familjen e tij dhe kërkon të mos përgjigjet për këtë gjë.

Gaz si në 21 Janarin e paharruar, kur bashkë me të, Sali Berisha derdhi edhe plumba. Vrau katër vetë dhe nuk fshehu dorën që qëlloi, por vazhdon të zgjasë duart e tij për të përmbysur kupën e të nesërmes në çdo tryezë shqiptare.

Unë besoj tek prezumimi i pafajësisë. Unë ende mendoj se Sali Berisha do të duhet të shkonte në një sallë gjyqi për t’u përballur me të vërtetën e tij dhe për të dëshmuar se është dorëjashtë nga akuza që e dyshon atë si fajtor. Nëse do ta bënte, do të ishte një shenjë që ai do të kishte nisur të kuptonte se koha ka ndryshuar dhe se Shqipëria nuk është më ajo e dhjetë vjetëve më parë dhe se e fundit gjë që do të duhej të ndryshonte në të, është pikërisht ai vetë dhe modeli i tij i shëmtuar i qeverisjes.

Si atëherë kur ishte në pushtet, si tani që e qeveris opozitën e këtij vendi si një feud vetjak.

Duhet të flisnim për buxhetin këtë të hënë.

E kemi bërë gjatë shumë ditëve në javët e shkuara dhe do të vazhdojmë ta bëjmë sërish dhe më pas për të shpjeguar qindarkë më qindarkë sesi do të shpenzohen paratë e shqiptarëve. Por në këtë moment, duhet të shpjegojmë se pse, një opozitë reaktive si kjo e jona, ngjyra-ngjyra nga sjelljet dhe bardh e zi nga idetë, po sillet si gur në thembër për të penguar ecjen përpara.

Unë dua të kërkoj përunjësisht një ndjesë të thellë ndaj çdo shqiptari.

Të majtë dhe të djathtë.

Ndjesë për ata që na kanë votuar dhe ndjesë për ata që na kanë refuzuar apo edhe ata që kanë qëndruar larg dhe indiferentë ndaj politikës.

Sot mund t’iu them se nuk ka qenë e mjaftë të mundim Saliun tetë herë me radhë dhe çdo herë edhe më thellë se herën e fundit.

E mposhtëm në 2013-ën, në 2017-ën dhe e mundëm edhe në 2021-shin. Ah po edhe në 2023-shin, edhe në Shkodër. E mposhtëm kur e kishim përballë dhe atëherë kur fshihej nën pizhamat e Lulit. E lamë pa fjalë edhe kur i afronte logorenë e tij të zakonshme mikrofonit dixhital, pa fjalë edhe kur i vë zjarrin mikrofonit të Lulit në Kuvend.

Sot kuptoj që nuk është e mjaftë sepse të mundësh Saliun, duhet të mundet edhe Berishizmi.

Kjo flamë politike e egër, arrogante, shpifëse, mbytëse, rrënuese e penguese që merr frymë e frymon duke i marrë frymën gjithë shoqërisë. Që rend të ngrijë buzëqeshje dhe gëzon vetëm nëse arrin të ngrijë shpresën e të gjithëve.

Ndjej keqardhje për atë anë të sallës.

Edhe pse e dinë që janë pengje të një individi dhe të halleve të tij vetjake, ne e kemi të pamundur t’i çlirojmë prej tij. Nuk ka burg më të lig e robëri më të thellë se ai kur vetë i burgosuri është gardian i vetes dhe nuk pranon të çlirohet.

Aferim Sali! Ti ishe ai që pretendove se ishe Ati dje, por që vrave krijesën që privatizove me letra fallso. Njëlloj si ata faraonët e lashtë që shihnin si ju ndërtohej piramida dhe numëronin burrat skllevër e gratë skllave që do të varroseshin bashkë me të.

Vetëm me një ndryshim.

Çfarë ke marrë padrejtësisht nga haka e këtij vendi, andej nuk të hyn në punë dhe të gjitha punët e tua, do të kenë hesap të shkoqitur këtej.

Ne do të vazhdojmë të flasim për buxhetin dhe me durim e qetësi do të shpjegojmë sesi do të shpenzohet ky buxhet, më i madhi në historinë e Shqipërisë, dy herë më shumë se në 2013, ju do të vazhdoni të hidhni gaz e tym sepse tymi i punës suaj nuk do të jetë kurrë më i bardhë.

Aferim Sali! Shihe veten sërish në Facebook. Shih si të deformon teknologjia portretin. Të tregon portretin tënd të vërtetë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024