Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se duhet një politikë e re penale, ndërsa i bëri thirrje drejtësisë që të japë dënim ekzemplar për autorin e vrasjes së policit në Fier.
Balla u shpreh se ndëshkimi i drejtësisë për këdo që ngre dorë kundër punonjësit me uniformë, duhet të jetë i ashpër, siç parashikohet në Kodin Penal: “Nëse qytetari mendon se ka të drejtë dhe punonjësi i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën, madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por, çdo veprim kundërshtimi ndaj forcave të rendit nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin. Kuvendi e ka bërë detyrën e vet se ka miratuar aktet ligjore. Na duhet të vendosim një standard të ri sa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit”.
“Ne, Kuvendi dhe qeveria, bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi rastet ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen, të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal, duke vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim. I bëj thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar”, shtoi ministri i Brendshëm.
(A2 Televizion)