"Begaj pranoi regresin”, Meta për komisionet hetimore dhe reformat “pa opozitën”

Nga Anesti Barjamemaj
19 Janar 2024, 16:07 | Politikë

Partia e Lirisë i ka gati propozimet e saj për Reformën Zgjedhore por nuk do i depozitojë në komisionin aktual. Këtë deklaroi kreu i saj Ilir Meta, duke e cilësuar si farsë përbërjen e këtij komisioni.

Sipas tij, qeveria nuk do të bëjë një reformë në bashkëpunim me opozitën, në të kundërt thotë se bashkëkryesimi do i ishte dhënë asaj që ai e quan opozita e vërtetë.

“Është shumë e qartë që bashkëkryesimi i takon opozitës dhe është shumë i qartë raporti i forcave në opozitë, raporti i forcave në parlament”.

A2CNN i rikujtoi se në 2014 kur bashkëqeveriste me Edi Ramën, miratuan pa opozitën reformën administrative territoriale. Meta shpjegon përse nuk heq paralele mes dy zhvillimeve politike.

“Në nivelet e larta nuk ka gabime, por ka tradhti. Partia Demokratike zgjodhi të bojkotonte, në vlerësimin tim sot ishte një marrëveshje Rama-Basha. Pasi nuk kishte asnjë arsye pse të bojkotonte, pasi kjo ishte një reformë e domosdoshme”.

Nuk pranon të komentojë firmën e Bajram Begajt që dekretoi ligjin për komisionet hetimore, por zgjedh të veçojë se edhe Presidenti që e pasoi në krye të Shtetit ka dalluar regres në draftin e mazhorancës.

“Ligji i bërë nga maxhoranca ishte dhe mbetet një ligj minues, të cilin e ka konfirmuar dhe vetë presidenti aktual duke e vlerësuar si regresiv, pastaj arsyeja pse është firmosur mbetet një e drejtë e tij”.

Pavarësisht dekretit presidencial, Meta i qëndron mendimit se ligji i ri cenon transparencën dhe llogaridhënien në Parlament. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos