Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ka prishur festën qeveritarëve socialistë në Shqipëri, të cilët, sipas tij, po prisnin të festonin fitoren e Kamala Harris.
“Institucionet, selia e partisë qendrore të krimit dhe drogës, ministrat dhe qeveritarët kishin përgatitur torta dhe shampanja, fishekzjarrë dhe party natën e të martës, të bindur se do përfitonte përfaqësuesja Kamala Harris, në fakt përfaqësuese e ekstremit të majtë”, tha Berisha, raporton A2 CNN. “Por, siç shkruante një mik i imi amerikan, e marta që kaloi shënoi mrekullinë amerikane. E vërteta, shënoi mrekullinë jo vetëm amerikane, i shkruajta atij, por mrekullinë e botës së lirë”.
Ai shtoi se pjesa e dërrmuese e prokurorëve të përgjithshëm të shteteve amerikane, sipas tij të lidhur me miliarderin George Soros, kanë lënë detyrën pas 5 nëntorit. “70 për qind të narkoprokurorëve të Sorosit me datën 5 nëntor, i thanë lamtumirë detyrës. 30 prej tyre u shkarkuan me votë ekzemplare nga qytetarët amerikanë, të tjerët janë shkarkuar për flagranca bashkëpunimi me krimin dhe SHBA shpëtuan nga dhjetëra Dumanër, Kraja, kriminelë, zuzarë të Sorosit që sponsorizonte kriminalitetin dhe krimin, drogën, grabitjet, plaçkitjet me akte të hapura armiqësore, publike ndaj popullit amerikan, rendit, rregullit dhe qetësisë së atij vendi. Të gjitha këto tregojnë se e vërteta mund të vonojë, por ajo triumfon dhe vetëm triumfon”. (A2 Televizion)