Këtë të hënë beteja politike do të jetë e përqendruar në Kuvend, aty ku pritet të diskutohet dhe miratohet në parim pr/buxheti i vitit të ardhshëm.
Përballë aksionit opozitar për të bllokuar punimet e Kuvendit, siç e kemi parë në këto ditë, mazhoranca ka përgatitur skenarët e saj, me qëllim që buxheti të kalojë.
Nga votimi pa diskutim gjer te zhvendosja e mbledhjes në Kryesinë e Kuvendit, janë planet e socialistëve, të cilët kanë deklaruar se as protesta dhe as ngujimi i demokratëve në Parlament nuk do t’i pengojë për ta votuar pr/buxhetin.
Nga ana tjetër edhe deputetët demokratë thonë se do ta zhvillojnë aksionin në bazë të asaj që mazhoranca po përgatit, duke mos përjashtuar edhe ngujimin në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati konfirmoi në "Ditari" i A2CNN se edhe greva është një opsion për të ndaluar socialistët që të kalojnë buxhetin në Kuvend, pasi ka qenë dhe mbetet pjesë e diskutimeve në tavolinë të deputetëve demokratë.
“Do të ketë një aksion që nuk do të ndalojë dhe do të përshkallëzohet deri sa mazhoranca ti njohë opozitës të drejtat legjitime që i jep Kushtetuta. Unë jam i gatshëm jo vetëm për atë por për të gjitha opsionet që grupi do të marrë vendim për të vazhduar aksioni opozitar. Është një opsion që është diskutuar, por do të jetë nesër apo në një moment tjetër, apo nuk do të jetë e nevojshme, pasi unë shpresoj që mazhoranca të reflektojë dhe të mos jetë e nevojshme për të arritur në këtë pikë, do të ishte mirë. Por mbetet opsion pa diskutim”, tha Nallbati.