Hezitimi i partive politike për të ndryshuar Kodin Zgjedhor duket se nuk ia ka prishur gjumin Ilirjan Celibashit.
Në daljen e parë mediatike për vitin 2024, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve iu bashkua thirrjeve për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, por duke e cilësuar jo jetike në realizimin e parlamentareve 2025.
“Do të ishte mirë, që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për t’i realizuar këto ndryshime sa më mirë që të jetë e mundur. Kuadri kushtetues dhe ligjor, garanton zhvillim e zgjedhjeve demokratike. Sepse nëse po flasim për aspektin rregullator, nuk ka asnjë element që cenon standardin demokratik të zhvillimit të zgjedhjeve.”
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të implementohet votimi nga jashtë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Një detyrim që sipas Celibashit i takon fillimisht Kuvendit.
“Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk prodhon boshllëkun ligjor sipas urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë.”
Nëse për votën e emigrantëve Celibashi është i prerë, për herësin brenda listës heziton që të japë një qëndrim, pa fshehur shqetësimin se edhe në këtë rast adresimi nga Kuvendi është i nevojshëm.
"Është mirë që Kuvendi i Shqipërisë, partitë politike më së pari të adresojnë këtë çështje pasi në një mënyrë ose tjetër mund të jetë një çështje që prodhon problematika, pasiguri për procesin zgjedhor."
Pjesë të ndryshimeve ligjore Celibashi kërkoi që të ishte edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, duke e cilësuar sjelljen e komisionerëve të partive politike si joprofesionale gjatë proceseve zgjedhore. (A2 Televizion)