Dosjet e prapambetura në gjykim konsiderohen nga Kuvendi si problemi madhor i sistemit të drejtësisë.
“Shumë ditë pune në gjykatë humbasin për shkak të mos prezencës në gjykata dhe eventeve të ndryshme që organizohen në kohën e punës”, tha Xhafaj.
Në Komisionin e Mbikëqyrjes Institucionale, Ilir Rusi që drejton Këshillin e Lartë Gjyqësor nuk pranoi të bëjë parashikime kur mund të zgjidhet problemi. Ai drejtoi gishtin nga mungesa e infrastrukturës, që pengon rritjen e organikës.
“Nëse nuk ka mjedise të mjaftueshme... nëse do kishim 100% të sistemit gjyqësor me gjyqtarë, nuk do kishim hapësirën për të marrë frymë e jo më për të punuar. Prandaj rezervoj të jap ditë dhe data sepse do t’i merrni datat dhe do t’i shpini në kontekst tjetër”, deklaroi Rusi.
“Ka më shumë gjyqtarë seka salla gjykimi, nuk arrijnë dot, vetëm po t’i bëjnë në korridor seancat gjyqësore. Nuk dihej? Dihej sigurisht. Dihej nga ju, dihej nga Qeveria, dihej dhe nga ne. Megjithatë, u vendos dhe u bë kështu. Kush është përgjegjës për këtë?”, u shpreh Xhafaj.
Fatmir Xhafaj i referohet hartës së re të gjyqësorit, për të cilën thotë se është shprehur kundër.
“I kam thënë KLGJ ju mund ta bëni këtë, por me fazë tranzitore sepse nuk keni infrastrukturën t’ua mundësojë këtë gjë. Por insistonit. E doni mendimin tim përse insistohej? Për t’i bërë vend disa anëtarëve të KLGJ në atë moment për të kaluar në Apel”.
Efikasiteti në punë dhe vendimmarrja e trupës së KLGJ, ndau Rusin me Xhafën. Vonesat në arsyetimin e vendimeve ishte një tjetër kritikë e ngritur si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. (A2 Televizion)