Drafti i PS për komisionet hetimore, Felaj: Sipas vendimeve të Kushtetueses, i njëjtë me të Tabakut

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2023, 20:55 | Politikë

Kaosi parlamentar, që vijon prej javësh, nga protesta e opozitës është i argumentuar prej saj me shkeljen e të drejtave Kushtetuese për komisionet parlamentare hetimore dhe atë të reformës zgjedhore, ku  ngërçi më i madh është bashkëdrejtimi.

Prej 1 viti janë bllokuar dhe rrëzuar 8 kërkesa për komisione hetimore, ndërsa socialistët e kanë argumentuar këtë me rishikimin e ligjit. Në parlament kanë qenë të depozituara Nismat e Jorida Tabakut dhe Edmond Spahos, ndërsa shumica e beri publik fundjavën e shkuar draftin e saj përmes nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila ishte e ftuar mbrëmjen e së martës në Debat nga Alba Alishani dhe foli për këtë çështje.

Felaj u shpreh se drafti i propozuar nga mazhoranca është i njëjtë me atë të propozuar nga Tabaku dhe që merr parasysh të gjitha vendimet e Kushtetueses.

“Drafti që ne kemi propozuar i merr parasysh të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë fuqinë e ligjit për të gjithë. Drafti që ne kemi propozuar, të paktën në dy parashikime të rëndësishme, është pikë për pikë si drafti që ka propozuar grupi parlamentar i PD-së nëpërmjet Jordia Tabakut dhe jo rastësisht, sepse ne kemi huazuar atë përkufizim të rëndësishëm nga Kushtetuesja në disa vendimmarrje të saj, të cilat fillojnë nga viti 2003 e në vijim. Mekanizmat që ne kemi adresuar nuk kanë ardhur nga hiçi, por janë mekanizma të shpallur, të shkruar, që duhen impelemtuar në ligj”, tha Felaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos