Gazetari Mentor Nazarko deklaroi se protesta, e cila, sipas tij “është një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme të këtyre 30 viteve të fundit për ta goditur status quo-në e sistemit tonë politik”, ka edhe përfshirje të aktorëve të huaj.
“Protesta është nga ngjarjet më të jashtëzakonshme e këtyre 30 viteve të fundit për ta goditur status quo-në e sistemit tonë politik. Diçka e ndodhur në mënyrë krejtësisht natyrale, pavarësisht kauzës fillestare që ishte për Zvërnecin. Pjesa më e madhe e akuzave që vijnë nga ajo foltore është tërësisht legjitime. Mirëpo, kur vjen puna te politika e jashtme, Shqipëria ka arritur një lloj stadi ndërkombëtar që është për t’u lavdëruar. Shqipëria sot po hyn në BE, përpara Serbisë që është rivali ynë historik. Ajo që po ndodh sot dhe kritika që po vjen nga media europiane kryesisht, e frymëzuar kryesisht nga fakti që në Zvërnec po shihet terreni i përplasjes së të majtës europiane me SHBA-në e udhëhequr nga Trump. Është një grackë që i krijon mundësinë të demaskojnë familjen Trump, që dëmton mjedisin në Shqipërinë e vogël. Kjo është fabula që e ka ndërkombëtarizuar atë që po ndodh në Shqipëri. Është emri i familjes Trump, fakti që Kushner është përfshirë në Bordin e Paqes...”, tha Nazarko në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
“Në një situatë të tillë proteste, me kaq vëmendje ndërkombëtare, ka edhe përfshirje të aktorëve të huaj. Mjafton të shikosh se kush e do dështimin e Donald Trump. Ka përfshirje të Iranit me siguri, nuk e besoj që është vetëm propagandistike, sepse këtu ka pasur ambasadë të madhe. Me siguri ka kundërvënie që vjen nga Turqia, Greqia apo edhe Serbia. Nga pak, ndoshta edhe grupimet e majta në Kosovë. Pra, ka një “fërkim duarsh” nga shtresa të caktuara”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)