Gazetari Neritan Sejamini deklaroi se protesta “nuk është çështje manipulimi”, por, sipas tij, në shesh kanë dalë të rinjtë që duan të qëndrojnë në një Shqipëri ku jetohet ndershëm.
“Nuk është çështje e një keqkuptimi, nuk është çështje e disa individëve, nuk është çështje manipulimi. Në atë protestë është një Shqipëri tjetër, që me sa kuptoj unë, zoti Rama nuk e ka idenë fare që ekziston. Madje, mund të them që dhe politika në përgjithësi nuk e ka idenë atë lloj Shqipërie që është në protestë. Atje ka të rinj të cilët kanë qenë të painteresuar për politikën dhe ti e shikon nga mënyra si veprojnë. Aty janë duke shprehur mesazhe. Aty nuk dëgjon askush një fjalim siç dëgjonin zotin Rama të gjithë të heshtur. Aty ka miniprotesta. Çdo pjesë e protestës ke një grup të vogël që ka parrullën e vet, ka këngën e vet, ka zhurmën e vet dhe vjen vërdallë. Aty është një Shqipëri e cila me shpresën e saj kërkon të ndërtojë një jetë më të mirë. Aty është një Shqipëri që kërkon liri, kërkon dinjitet dhe kjo nuk ka të bëjë me manipulimin nga të huajt. Kjo ka të bëjë me kërkesën e tyre”, tha Sejamini në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
“Duan një të ardhme ku ata të punojnë, të jetojnë si njerëz të lirë. Një të ardhme ku nuk do kenë nevojë ata të rinj që të bëhen anëtarë të forumeve të partive politike për të pasur karrierë, që nuk ka nevojë të bëhen drejtorë 30 vjeç apo kryetarë të kësaj 30 vjeç, por duan që të jetojnë ndershëm dhe të krijojnë një të ardhme. Pra, është një protestë në të cilën kërkohet me ngulm kërkohet që të kenë mundësi të jetojnë në këtë vend dhe një Shqipëri që ka kuptuar që me këtë qeverisje kjo gjë s'do vijë kurrë. Dhe ata janë njerëz që bërtasin, ulërasin për të qëndruar në Shqipëri. Ajo është një thirrje për të qëndruar në Shqipëri. Këtë duhet të kuptojë zoti Rama dhe të gjithë politikanët. Rama do që kjo të jetë çështje mjedisi. Ai do që kjo të ketë të bëjë vetëm me Zvërnecin. Ai do që kjo të jetë çështje manipulimi nga agjenturat e huaja. Ai do që kjo të jetë çështje kundër presidentit Trump. Kjo vetëm me këto nuk ka lidhje, ajo është çështje e njerëzve që po ulërasin për të qëndruar në Shqipëri, por vetëm nëqoftëse Shqipëria do jetë një vend ku jetohet lirë dhe jetohet ndershëm. Ata janë njerëz që nuk duan të jenë administrata e korruptuar. Nuk duan të jenë drejtorë të korruptuar. Duan të jenë njerëz të lirë, të cilët ndërtojnë të ardhmen e tyre me dinjitet, me liri në vendin e tyre. Një nga gjërat që dëgjova më shumë në protestë ishte dua të rrij në Shqipëri ose dua të kthehem në Shqipëri. Pra, ti ke një Shqipëri që i thotë dua të kthehem në Shqipëri ose dua të rrij në Shqipëri dhe ti ke një kryeministër që thotë këta janë të manipuluar”, shtoi Sejamini. (A2 Televizion)