Sondazh: Preferoni që emri i fëmijës tuaj të jetë:
  • Tradicional 42%
  • Modern 8%
  • I trashëguar 8%
  • Unik 42%

Garda ndihmoi deputetët e opozitës

Nga Opinion, nga Lutfi Dervishi
7 Shkurt 2024, 23:03 | Politikë

Garda ndihmoi deputetët e opozitës

Në një vend ku procesi i vendimmarrjes së mazhorancës i ngjan një karnavali që sfidon logjikën, episodi i fundit ku gardistët pengojnë deputetët e opozitës të hyjnë në sallën e Kuvendit, ngre pyetjen: kemi të bëjmë me satirë të nivelit të lartë apo me një skenë kafkiane?

Komisioni i Lartë i Etikës me votat e shumicës vendosi që të përjashtojë deputetët që u penguan për të qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Një deputet i shumicës që për bibël ka rregullin dhe përpikmërinë  tha se: përjashtimi erdhi për shkak se kur u morën mungesat, deputët në fjalë ishin jashtë sallës së Kuvendit. Pra mungonin dhe mungonin në seancën më të rëndësishme, siç ishte ajo kur diskutohen hallet e elektoratit. Por anëtarët e tjerë të komisionit nuk e trajtuan çështjen si një veprim thjesht teknik.  Arsyetimi i tyre i ngjan ushtrimeve të vështira të gjimnastikën politike, ku mësimi është si të kapërcesh me një kërcim nga logjika në absurditet. Përjashtimi i deputetëve të opozitës, thotë Komisioni i Lartë i Etikës, nuk është një masë ndëshkuese, por një përpjekje humane për të shpëtuar Tempullin e Demokracisë nga shkatërrimi i mundshëm dhe turpërimi publik. Njeriu për një nder rron.

Deputetët e mazhorancës, të njohur për angazhimin e tyre të palëkundur ndaj etikës, rregullave dhe ligjit, sigurojnë publikun vendas dhe partnerët ndërkombëtare  se vendimi i tyre është mishërimi i përsiatjes së thellë dhe respektit të pa lëkundur ndaj parlamentarizmit.  Kushdo që vë në dyshim madhështinë e këtij vendimi është thjesht një mjeran që nuk është zhytur në thellësitë e procesit të tyre "tmerrësisht" të menduar. 

Tani, le të shqyrtojmë të kundërtën e asaj që panë të gjithë live në 15 kanalet televizive. Të mendojmë për një moment të pa mendueshmen: gardistët çmenden dhe lejojnë  deputetët e opozitës të hynin  në truallin e shenjtë të Kuvendit- në seancë plenare. Tmerr! Deputetët me emra që tingëllojnë si personazhe të një tragjedie shekspiriane – Bardhi, Noka and co – do të shkaktonin kaos në Tempullin e Demokracisë. Zhurmë, tym, karrike të përmbysura dhe mos o Zot thirrje kundër qeverisë! Thjesht ky mendim i ka shtirë të dridhurat jo vetëm Komisionit të Lartë të Etikës, i cili, besohet se është bastioni i vetëm që ka mbetur në mbrojtje të parlamentarizmit.

Në këtë skenar hipotetik, Komisioni i Lartë i  Etikës, si mbrojtës fisnik i virtytit parlamentar, do të detyrohej nga ndenja e lartë e detyrës që t'i pezullonte keqbërësit recidivist opozitarë për 60 ditë/netë  të plota. Këtë thotë rregullorja e re e miratuar me unanimitet të plotë nga deputetët e shumicës. Imagjinoni ankthin në fytyrat e opozitarëve të mbetur pa punë, pa rrogë dhe, më tragjikisht, pa foltoren e dashur të Kuvendit për 2 muaj, për  tetë javë, apo 60 ditë, apo 1440 orë.. Është thuajse shekspiriane – një tragji - komedi me shumë akte.

Mirëpo ndërhyrja dashamirëse e gardianëve i erdhi në ndihmë deputetë të opozitës. Deputetët e opozitës  falë kësaj ndërhyrje etike, ligjore, burrëore, po të doni edhe kafshërore të gardistëve tani nuk do t’i gëzojnë privilegjet parlamentare vetëm për 10 ditë dhe jo për 60. A nuk duhet që opozita në vend që të kërcënojë me padi, të falenderojë Gardën?

Vetë gardistët,  të pyetur nga Komisioni i Lartë i Etikës pohojnë se veprimi i tyre ishte instinktiv – një dëshirë njerëzore për të mos ndarë deputetët e opozitës nga mbështetësit e tyre që po protestonin vetëm pak metra larg. Po të lejonin deputetët e opozitës brenda, turma e protestuesve do të mbetej pa kokë. “Por ne si ushtarakë e dimë se më e rrezikshme se ushtria e një armiku më të madh në numër, më e frikshme se një tërmet apo pandemi është përballja me një turmë që nuk ka kokë. Përballja me turmën është fatale. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për stabilitet dhe jo fatalitet.

Gardistët, jo vetëm që shpëtuan deputetët nga ndëshkimi, por bënë edhe punën e policisë së rendit. Ruajtën qetësinë.  Duke mbajtur deputetët të lidhur me elektoratin e tyre, nuk ndodhi asnjë ngjarje e pa këndshme që do të cënonte reputacionin tonë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat veteran për anëtarësim në BE .

Për këtë arsye, gardistët duhen shpërblyer dhe deputetët e opozitës duhet t’i thërrasin mendjes dhe të mos kërkojnë të futen në sallën e Kuvendit. Ka plot sheshe Shqipëria ku mund të kuvendojnë me veten apo me njerëzit- le ta zgjidhin vetë audiencën. E rëndësishme është që opozita të kuptojë se Garda vepron vetëm në interes të demokracisë dhe parlamentarizmit.

*

Në këtë spektakël madhështor të teatrit politik, ku mbretëron absurditeti dhe arsyeja zë vendin e fundit, nuk mund të mos pyesim veten nëse jemi dëshmitarë të një tragjikomedie apo një çmendurie.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli