Një arritje të merituar por shumë të vonuar e cilësoi kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta marrëveshjen për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë. Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi qeverinë shqiptare se braktisur dhe përjashtuar nga skema e pensionit dhe përfitimit të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë kontribuar në më pak se 15 vite pune.
“Pse Qeveria mban një standard të dyfishtë, që njeh kontributet nën 15 vjet në rastin e marrëveshjeve me shtetet e tjera, por padrejtësisht përjashton nga skema e përfitimit pensional të qytetarëve që kanë kontribuar brenda vendit?”
Meta tha se Partia e Lirisë “do të propozojë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune”.
Kreu i PL-së theksoi se plakja e popullsisë dhe informaliteti i lartë, janë dy faktorët që kërcënojnë sot skemën e pensioneve.
“Për faktorin e parë edhe vetë FMN në raportin e saj më të fundit të këtij janari ngre alarmin se numri i popullsisë mbi 65 vjeç krahasuar me numrin e popullsisë aktive nga 25 vjeç në 65 vjeç do të shtohet nga 23% sot aktualisht, në 83% në vitin 2070. Ndërsa për faktorin e dytë aktualisht përqindja e informalitetit në skemën e kontributeve të pensioneve është shumë e lartë. Vetëm 39% e popullsisë në moshë aktive pune nga 15 vjeç deri në 65 vjeç janë kontribues të skemës të pensioneve”.
Një tjetër shqetësim për Ilir Metën është niveli i lartë i taksave dhe kosotoja e lartë e jetesës në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit.
“Sipas Institutit Ndërkombëtar të Taksave, niveli i taksave për të ardhurat personale në Shqipëri është deri në 23%, ndërsa Kosova e ka 10%, Maqedonia e Veriut 10%, Bosnje Hercegovina 10%, Rumania 10% dhe Bullgaria 10%. Edhe pse jemi shteti më i varfër në rajon dhe në Europë renditemi të parët për koston e lartë të jetesës, për çmimet më të larta të ushqimeve, për çmimet më të larta të karburantit dhe për çmimet më të larta të apartamenteve”. (A2 Televizion)