Pedagogia Arsejda Gjyli vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me debatin për projektin e Zvërnecit dhe protestat e qytetarëve, duke e cilësuar atë si një shenjë të pjekurisë politike dhe vendosjes së interesit kombëtar mbi përplasjet partiake.
E ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Gjyli tha se qëndrimi i PD-së në këtë rast tejkalon ndasitë tradicionale politike dhe konfliktin e vazhdueshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të demokratëve, Sali Berisha.
Sipas saj, opozita ka kuptuar se çështje të tilla lidhen drejtpërdrejt me interesin e Shqipërisë dhe zhvillimin e vendit.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike këtu kalon ndasitë politike. Nuk mbështetet te lufta e gjithëkohshme mes zotit Berisha dhe zotit Rama. Kjo është një çështje që ka të bëjë me Shqipërinë dhe me interesin kombëtar”, u shpreh Gjyli.
Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur PD është ulur në tryezat e dialogut për reforma të rëndësishme, si reforma territoriale, ajo zgjedhore dhe procese të tjera të lidhura me integrimin europian të vendit.
“Partia Demokratike ka treguar në momente të caktuara pjekuri politike duke lënë mënjanë përplasjet partiake dhe duke vendosur përpara interesin kombëtar. Kjo po ndodh edhe në rastin e Zvërnecit”, tha ajo.
Sipas Gjylit, qëndrimi i demokratëve nuk interpretohet si mbështetje për qeverinë apo për kryeministrin Rama, por si një mbështetje për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
“Nuk duket sikur Partia Demokratike po mban anën e zotit Rama apo të qeverisë. Këtu PD po thotë se është pro investimeve dhe zhvillimit ekonomik”, përfundoi pedagogia. (A2 Televizion)