Ish-kryeministri Sali Berisha pas mbledhjes së përbashkët të grupit të tij të deputetëve dhe atij të Gazment Bardhit në selinë e Kuvendit, komentoi për mediat përleshjen fizike mes deputetëve Bledion Nallbati dhe Vullnet Sinaj, në seancën plenare të ditës së djeshme.
Sipas tij, përplasjen fizike e nisi ligjvënësi socialist, pasi provokoi opozitën në kohën kur deputetët e tyre ishin duke protestuar. Berisha nënvizoi se Sinaj nuk u godit, por se mediat ekzagjeruan incidentin.
“Dhunën e filloi ai tjetri, i cili për të thyer protestën tonë, në disrespekt të plotë iu nënshtrua kryetares së Parlamentit, që e mbushi me gardistë parlamentin dhe iu kundërvu protestës sonë duke u dhënë fjalë këtij dhe atij. Zoti Sinaj nuk mund të merrte fjalën në një kohë kur e tërë opozita ishte në protestë. Të tjerat i ekzagjeruan mediat se absolutisht kam qenë aty dhe ai nuk u godit. Pati përplasje fizike se iu vërsul drejt tij. Ne në protestë, ky mori fjalën për të na prishur protestën ne. Ky nuk është polic, është deputet.”
Lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PS-së për përjashtimin e 7 deputetëve demokratë, Berisha u shpreh: “Ky është një vendim i urdhëruar nga Edi Rama, i turpshëm dhe do të marrë përgjigje”.
“Çdo vendim i tyre që nuk përfill protestën e drejtë të deputetëve të opozitës do të marrë përgjigje prej tyre. Ju ftoj të jeni aty në 03:30”, shtoi ai. (A2 Televizion)