Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, deklaroi se mazhoranca është e fokusuar te puna për përmbushjen e objektivave të integrimit europian dhe po punohet për përafrimin e ligjeve sipas kërkesave të Brukselit.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN për prioritetet qeverisëse, ajo e vuri theksin te reformat e ndërmarra në shëndetësi, arsim dhe pensione gjatë 13 viteve të fundit, ndërsa nënvizoi se në çdo mandat është vendosur fokus te një sektor i veçantë.
“Në fakt nuk jemi duke luftuar, jemi duke punuar në këtë fazë dhe vazhdojmë të ecim me objektivat tanë parësorë që është ai i integrimit europian. Ka një mori ligjesh që janë duke u punuar dhe vlerësuar në komisionet parlamentare dhe do të kalojnë në dy seancat e radhës. Kështu që vazhdojmë të ecim me ritëm drejt përmbushjes së objektivave për integrimin europian, për përafrimin e legjislacionit, duke ecur në një axhendë tërësisht të dakordësuar me BE-në, brenda afateve. Jemi duke dëgjuar atë që për ne sot përbën opozitën, që janë qytetarët”, tha deputetja.
“Ne do të gjejmë mekanizma për të folur me qytetarët dhe për të marrë shqetësimet e tyre. Por në ndërkohë, atë që ata kanë artikuluar ne jemi duke reflektuar, psh programi i Rilindjes 2.0, reflekton disa nga kërkesat e dëgjuara në protestë. Kemi bërë një sërë reformash që kanë ndryshuar katërçipërisht shëndetësinë, arsimin dhe pensionet në 13 vite. Jemi duke punuar dhe në çdo mandat i është dhënë vëmendje dhe fokus një elementi të caktuar. Pasi kemi përfunduar infrastrukturën, vlerësimit të mjekëve, do shikohen elementët e tjerë që kanë nevojë për vëmendje në shëndetësi dhe arsim”, shtoi Bylykbashi. (A2 Televizion)