Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të rrëzojë kërkesën e kryedemokratit Sali Berisha për përjashtimin nga seanca e 19 nëntorit të gjyqtares Marsida Xhaferllari.
Kjo vendimmarrje e Gjykatës u mor me argumentin se kërkesa e ish-kryeministrit ishte e pabazuar nga ana ligjore, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se më 19 nëntor do të zhvillohet seanca në Gjykatë Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e Berishës për rrëzimin e masave të vendosura nga GJKKO ndaj tij.
Berisha pretendon se si deputet masat e SPAK dhe të GJKKO ishin të paligjshme, pasi ai gëzonte mandatin parlamentar dhe duhej të ishte mbledhur Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit më parë.
Shefi i opozitës ndodhet në ‘arrest shtëpie’ që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Berisha u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza "korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim" që në 11 shtator të vitit të kaluar. Po ashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u mor i pandehur nga SPAK dhe akuzohet për të njëjtën vepër penale. (A2 Televizion)