Hetimi i dy kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë u fut në ngërçin e parë të funksionimit. Procedura hetimore e caktuar në ligjin e ri dhe dëshira e demokratëve për të akuzuar shumicën si abuzuese me këto dy kontrata bënë që për mbi dy orë deputetë më shumë të bërtisnin se sa të flisnin.
Shkaktar i parë i këtij debati ishte një kërkesë e demokratëve që të gjithë deputetët të firmosnin një deklaratë nëse janë apo jo në konflikt interes, me pretendimin se nënkryetari socialist i komisionit, Plarent Ndreca, ka qenë avokat gjatë hetimit të kësaj çështje në SPAK.
“Bëhet fjalë për 400 milionë euro që janë abuzuar nga buxheti i shtetit. Janë në xhepa të panjohur. Këta veprojnë edhe këtu si një grup i strukturuar kriminal që mbrojnë njëri-tjetrin”, tha deputetja demorkate Ina Zhupa.
“Ne jemi kundër futjes në këtë moment të kësaj pike të rendit të ditës. Ne jemi kundër kësaj pikem madje e votojmë. Ngrini cik dorën ju të gjithë. Ne jemi kundër”, u shpreh bashkëkryetari socialist, Plarent Ndeca.
“Po të ishte komisioni hetimor për shalqi e domatet, do e të thosha që për shalqirin kam konflikt e do ikja. Nëse doni të bëni politikëse keni defiçenca kohore për të folur për publikon, kjo është çështje, tjetër”, u shpreh demokrati Saimir Korreshi.
Socialistët i qëndruan fort idesë se deklaratën e konflikti duhet ta firmosin pasi të caktohet plani i hetimit. Po me të njëjtin intensitet, ata qëndruan edhe përballë një kërkesë tjetër të PD, marrjen e informacioneve nga institucionet shtetërore për dy kontratat koncesionare.
“Mos të përmendim kryeministrin?! Ai është koka e grupit të strukturuar dhe ne do ta nxjerrim këtu”, tha Albana Vokshi.
“Ne nuk duam ta bëjmë këtë komision tallava. Komisioni është me procedura ligjore, prandaj ka një ligj të posaçëm”, u përgjigj Ndreca.
Arsyeja e rrëzimit edhe e kësaj kërkese të dytë, është se ligji ri për komisionet hetimore përcakton që informacionin e marrin ekspertët, e jo më deputetët, që për demokratët është një parashikim antikushtetues. Por përballë tetë votave të PS, u detyruan të pranonin zbatimin e dispozitës së re të ligjit për komisionet hetimore. (A2 Televizion)