Kryetari i PPE, Weber: Bota ndryshon nëse Trump rizgjidhet, Shqipëria na duhet në BE

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 13:44 | Politikë

Kryetari i Partive Popullore Europiane, Manfred Weber, tha se Bashkimi Europian duhet të bëjë çmos për të anëtarësuar sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor në union, për shkak se e ardhmja duket e vështirë, sidomos nëse Donald Trump bëhet sërish President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Donald Trump ka hedhur hapat e parë drejt Shtëpisë së Bardhë, me (fitoren në) Iowa. E dimë që bota do të ndryshojë nëse Donald Trump rizgjidhet. Dhe Europa duhet të përgatitet për këtë tani. Kemi kohë të vështira përpara për Bashkimin Europian. Prandaj kohezioni është i rëndësishëm”, tha Webber në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder.

“Prandaj duhet të ketë një perspektivë të qartë europiane për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë, në mënyrë që të bëhen anëtarë të këtij komuniteti. Që të forcojmë veten tonë, të qëndrojmë të bashkuar në këtë kontinent”.

Rama ndodhet në landin gjerman i ftuar për të marrë pjesë në takimin tradicional të fillimvitit të Unionit Social-Kristian (CSU) me ftesë të kryeministrit të Bavarisë, Söder.

Edhe ky i fundit bëri thirrje për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit tonë në BE. “Lidhja e vjetër (mes Bavarisë dhe Shqipërisë) gjithashtu ka një të ardhme që ne e dëshirojmë. Një është përkushtimi i qartë që Shqipëria i përket Bashkimit Europian. PPE, por edhe ne si (parti politike) CSU dhe qeveria e landit, kemi folur shumë herët. Ne besojmë se është e rëndësishme në mënyrë që të forcohet Bashkimi Europian në konkurrencën globale. Gjithashtu besoj se një Europë e fortë, e zgjeruar, është shumë, shumë e rëndësishme, sidomos në lidhje me gjithë Ballkanin Perëndimor, pikërisht për shkak të sfidave me të cilat po përballet Europa nga jashtë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos