Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e “Off The Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, komentoi shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke e lidhur vendimin drejtpërdrejt me mënyrën se si u menaxhuan protestat e fundit të opozitës në Tiranë.
Sipas Hoxhës, largimi i Prodës nuk erdhi për shkak të ashpërsisë së policisë ndaj protestuesve, siç është pretenduar nga opozita, por pikërisht për të kundërtën.
“Opozita e akuzonte drejtorin e Policisë se po përdorte masa të rrepta kundër protestuesve, ndërkohë kryeministri e shkarkon për të kundërtën: sepse është treguar liberal ndaj opozitës. Madje, nuk ka marrë masat e duhura për të kufizuar veprimet e saj, të cilat çuan në atë që ndodhi të shtunën e kaluar nëpër Tiranë. U dogjën 3-4 kazanë plehrash dhe u hodhën molotovë drejt Vilës 31. Se kuptoj Sali Berishën si kërkoi falje”, deklaroi gazetari në studio.
Hoxha theksoi se reagimi i kryeministrit ishte i menjëhershëm dhe, sipas tij, pa precedent në historinë e drejtimit të Policisë së Shtetit.
“Drejtori i Përgjithshëm është emëruar nga vetë kryeministri. Në një moment, ai u shkarkua në kohë rekord, bashkë me drejtorin e Policisë së Tiranës. Nuk mbaj mend të ketë ndodhur herë tjetër që të largohen njëkohësisht dy drejtuesit më të rëndësishëm të policisë në vend. Kjo tregon se vendimi ka qenë i drejtpërdrejtë dhe i lidhur me një ngjarje konkrete”, u shpreh ai në Off The Record me Andrea Dangllin.
Sipas Hoxhës, episodi me hedhjen e molotovëve pranë Vilës 31 ishte momenti që vulosi fatin e drejtuesve të policisë.
“I shkarkoi për atë që ndodhi me molotovët te Vila 31. Unë e di që Rama për këtë arsye e ka bërë. Harrojini teoritë e tjera se u hoqën për shkak të protestave në vetvete. Çështja ishte se situata doli nga kontrolli në një pikë simbolike dhe kjo nuk tolerohet”, theksoi gazetari.
Në analizën e tij, Hoxha sugjeroi se mesazhi politik i këtij vendimi është i qartë: përgjegjësia për rendin publik është direkte dhe pa hapësirë interpretimi kur incidentet marrin përmasa simbolike apo cenojnë objekte të ndjeshme.
Deklaratat e gazetarit vijnë në një moment tensioni politik, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë rritur ndjeshëm. (A2 Televizion)