“Firma e Edi Ramës nuk ka asnjë lloj vlere, pasi ai është në hetim ndërkombëtar.” Ka qenë ky reagimi i Sali Berishës për marrëveshjen që Shqipëria bëri me Italinë për pritjen e refugjatëve të vendit fqinj.
Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, ku Rithemelimi pritet të mbajë mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se marrëveshjen me Italinë e ka bërë ndër të tjera, për të ushqyer, siç u shpreh ai, “bandat e tij me trafiqe të shumëllojta njerëzore.”
“Shpreh respektin tim për kryeministren e Italisë. Por, firma e Edi Ramës në atë marrëveshje është e pavlefshme. Sepse ai është kryeministër në hetime ndërkombëtare dhe është i gatshëm të firmosë çdo gjë për të lehtësuar veten e tij nga një hetim ndërkombëtar i pashpresë. Asnjë lloj firme e tij, nuk ka më vlerë. Shqipëria ka me Italinë një marrëveshje, firmosur me Napolitanon, kur ramë dakord që çdo emigrant, i vendeve të tjera, që kalon nga Shqipëria në Itali, të kthehet në Shqipëri për t’u nisur në vendin e tij.”
Po ashtu, kreu i Rithemelimit u citoi fqinjëve italianë statistikat e Eurostat, sipas të cilave që nga 2014-20221, nga vendi largohen çdo vit më shumë se 100 mijë shqiptarë për në Itali, Greqi dhe në hapësirën e Shengenit.
Sa i përket zhvillimeve të djeshme, kur deputetëve të përjashtuar të opozitës iu ndalua nga garda hyrja në Kryesisë e Kuvendit, Berisha i komentoi si "akti më i turpshëm në historinë e një Parlamenti".
Kreu i Rithemelimit premtoi zhvillime të tjera gjatë ditës së sotme. (A2 Televizion)