Analisti Ben Andoni ka ngritur shqetësimin për infrastrukturën e godinës së institucionit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Gjatë fjalës së tij në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, Andoni tha se një ish-deputet i kishte treguar se kur shkoi në SPAK, e futën në një dhomë për të dëshmuar bashkë me 3 persona të tjerë, kundër kërkesës së tij që të paraqitej i vetëm.
Andoni tha se në gjykimin e tij fajëson pak edhe prokurorët që shërbejnë në SPAK, pasi sipas tij, lufta e tyre ka qenë vetëm për mirëqenien dhe rrogën e tyre dhe jo për institucionin, shkruan A2 CNN.
“Po e nis pak nga infrastruktura. Më është dashur të kontaktoj me një njeri që ka dhënë dëshminë e tij në SPAK. Patjetër ka qenë i rezervuar për atë që ka folur, por ka thënë të njëjtën gjë: ‘kam qenë i shqetësuar se më kanë futur në një zyrë bashkë me 3 njerëz të tjerë. Kisha kërkuar të isha i vetëm’. Një nga njerëzit që dikur ka qenë në Parlament dhe që e njihte edhe ligjin.
Edhe i thashë pse bëhet kështu? Më tha ‘sepse SPAK vazhdon të bëjë korrespondencën dhe nuk merr përgjigje për këtë’. Por unë vendos faj pak edhe te njerëzit e SPAK. Sepse të bësh aq luftë për mirëqenien tënde, për rrogën tënde, duhet të bësh për institucionin fillimisht, duhet të shkojnë baraz.
Pastaj një kryeministër e ka këtë lloj momenti, momenti kur duhet të flasë i qetë dhe të shpjegojë edhe standartet. Kuptohet që është i pakënaqur me atë që ndodhi me zotin Veliaj dhe me zotin Berisha, por kjo flitet në një mënyrë shumë të butë, shumë të qetë që njerëzit ta kuptojnë”, tha Andoni, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)