Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shprehur se 12 mijë pensionistë në vendin tonë marrin një pension më të ulët se 120 euro në muaj.
Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, Noka tha se qytetarëve shqiptarë duhet t’i sigurohet minimumi jetik, në mënyrë që të rritet cilësia e jetesës për ta.
Ai tha gjithashtu se qentë e zyrtarëve të Qeverisë hanin në një ditë, aq sa shteti i jep pensionistëve në një muaj.
“120 mijë pensionistë të vendit jetojnë me 120 euro. Kjo është në kufijtë e dramës. Ndërkohë Rama nuk ka pranuar të vendosë minimumin jetik, sepse po ta bëjë këtë Rama, nuk i dalin lekët për koncesione dhe vjedhje. Minimumi jetik është një e ardhur që plotëson nevojat bazë të një individi për të jetuar, jo për të mbijetuar.
Këtu çfarë po them unë, pensionisti merr 120 euro ose 80 euro, 6 mijë euro merr Altin Dumani, banoni i Ramës dhe Rama. Qentë e qeveritarëve hanë në ditë aq sa shteti i jep një pensionisti në një muaj. Ky është realiteti shqiptar dhe prandaj duhet përmbysur ky realitet”, tha Noka, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)