Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të kësaj partie, një ditë pasi Monika Kryemadhi tha se ndahej me të sa i përket sulmeve ndaj SPAK, deklaroi se “nëse dikush ka vlerësim për SPAK pas gjithë këtyre fakteve, turpëron dhe fjalën baxhellë. SPAK është një institucion kriminal, kundër Kushtetutës, kundër pluralizmit politik”.
“Vendi është në një moment kritik. O shpërbëhet mafia, o shpërbëhet kombi. I keni nënvlerësuar disa paralajmërime të miat kohë më parë. Nëse dikush ka vlerësim për SPAK. pas gjithë këtyre fakteve, turpëron dhe fjalën baxhellë. SPAK është një institucion kriminal, kundër Kushtetutës, kundër pluralizmit politik. Në vend që të ndalojë Edi Ramën, në vend që të ndalojë Erion Velinë, bën presion dhe shantazh udhëheqësve të opozitës, që mbrojnë sovranitetin e Shqipërisë”, u shpreh Meta.
“Do japi llogari çdo prokuror i SPAK, çdo gjykatës i korruptuar që fle mbi dosjet që janë atje. Nuk ka McGonigal që i mbron. Për veshi do t’i ngremë, siç vajti ai në burg, do të shkojnë dhe të tjerët. Prandaj është detyra jonë të fuqizojmë organizimin e opozitës, të fuqizojmë Partinë e Lirisë, që duhet të ndihet kudo në të gjithë Shqipërinë. Që duhet të jetë zjarr kudo, që ti japim shpresë të rinjve dhe të rejave që të mos ikin nga vendi. Që ti japim shpresë gjithë atyre, që janë jashtë të kthehen këtu”, shtoi Meta. (A2 Televizion)