Në të parën protestë pa të fizikisht në shesh, emri i tij u dëgjua më shumë se çdo fjalë tjetër nga mbështetësit e Partisë Demokratike.
Demokratët fillimisht u grumbulluan në seli, ku pritën marshimin drejt Kryeministrisë bashkë me deputetët.
Bashkimi i demokratëve ishte kryefjalë e të gjithë fjalimeve. Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në fjalën e tij para protestuesve vendosi gishtin në plagën e përçarjes së demokratëve, por shtoi se tashmë gjithçka ka mbetur në të shkuarën dhe bashkimi ka sjell shpresë për ardhjen në pushtet.
“Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajon tuaj! Kemi dinjitetin tuaj! Kemi dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar!”, u shpreh Bardhi.
Teksa zyrtarët e lartë të PD mbanin fjalën në podium njëri pas tjetrit, sërish protestuesit kërkonin Berishën.
Kreu i Rithemelimit Sali Berisha u shfaq vetëm në ekrane nga banesa e tij, ku kishte improcizuar një podium mes skenografi identike si ajo e protestës.
Për Sali Berishën 33 vjetori i rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës shënon inaugurimin e një misioni të ri, betejë pa kthim në mosbindje civile deri në rrëzimin e Ramës.
Berisha foli për një epokë të re në politikën shqiptare që sipas tij ka nisur me bashkimin e PD.
“Është ky unitet në diversitet që shqiptarët nuk e kishin arritur njëherë në 33 vite. Është ky unitet në diversitet, dhurata më e çmuar e PD për shqiptarët. Është kjo demokraci e brendshme që do e aplikojmë në qeverisjen tonë. Prandaj dhe kjo qeverisje, do të jetë më e shkëlqyera që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”, theksoi kreu i Rithemelimit.
Me sytë nga zgjedhjet e vitit 2025, Berisha prezantoi dhe një pjesë të programit të Partisë Demokratike, gati si për të thënë se nuk ka kandidat tjetër për kryeministër veç tij.
“Me shpejtësi dhe brenda një mandati ne do ia dalim të dyfishojmë rrogat, të dyfishojmë pensionet, të vendosim minimumin jetik që të mos ketë më lot mjerimi në sytë e shqiptarëve. Pasi të nxjerrim shqiptarët nga aty ku ishim në krye të rajonit për rroga dhe pensione, pasi të ulim taksën e sheshtë në 10 përqind do ecim të sigurt drejt mesatares së rrogës në BE”, deklaroi Berisha.
Kur Berisha mbylli fjalimin e tij, disa protestues hodhëm molotov drejt kryeministrisë.
Teksa tubimi po mbyllej policia shoqëroi dy prej tyre, ndërsa organizatorët tërhoqën pjesën tjetër të turmës duke e larguar nga bulevardi. Kjo shënoi dhe përfundimin zyrtar të tubimit ku protestuesit u shpërndanë paqësisht. (A2 Televizion)