Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se bashkimi i opozitës është hapi i parë drejt kthimit të saj në pushtet. “Ne jemi sot këtu për të thënë se nuk dorëzohemi!
Se nuk e falim lirinë tonë! Se refuzojmë një demokraci fasadë! Ne duam të ndërtojmë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve! Që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën!”, tha Bardhi para protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Sot, ne vërtetë jemi në opozitë. Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajën tuaj! Kemi dinjitetin tuaj! Kemi dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar! Ju të gjithë këtu jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria! Që mbani gjallë frymën e lirisë! Që nuk dorëzoheni! Që frymëzoni me qindra e mijëra shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë vendit! Sot, të gjithë shqiptarët e ndershëm janë krah jush me mendje e zemër! Ata që nuk janë këtu, ju shohin, ju mbështesin dhe duan të jenë si ju! Ju ishit arsyeja dhe frymëzimi ynë për t’u bashkuar dhe jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për Partinë Demokratike! Për opozitën! Për shqiptarët dhe Shqipërinë”,
Sipas Bardhit, i cili vetëm para pak muajsh ishte kundër grupimit të Rithemelimit, bashkimi është e vetmja rrugë për t’u përballur me të keqen, siç e konsideron ai qeverisjen socialiste. “Në këto 10 vjet, Edi Rama ka përdorur metoda antidemokratike për të qëndruar në pushtet, për të përhapur frikë, për të shuar zërin e protestës. Por ju sot jeni prova më e madhe se ai ka dështuar. Ne nuk kemi frikë!”, tha Bardhi.
“Afera skandaloze e inceneratorëve na tregoi se sa e korruptuar është kjo qeveri. Se asgjë nuk ecën përpara, nëse nuk bëhen pjesë e fitimit Edi Rama apo Erion Veliaj. Me korrupsionin e tyre, ata zhbëjnë çdo ditë mundësitë për rininë. Zhbëjnë shpresat e prindërve për fëmijët. Zhbëjnë ëndrrat për rritjen e mirëqenies së çdo familje që jeton me punë të ndershme. A duhet ne të rrimë kokulur dhe të pranojmë fatin që Edi Rama shkruan për ne? Kurrë!”. (A2 Televizion)