Opozita shqiptare mban sot një protestë para Kryeministrisë, pikërisht në datën 20 shkurt, kur 33 vite më parë qytetarët e Tiranës rrëzuan shtatoren e diktatorit Enver Hoxha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, do ta ndjekë nga shtëpia këtë protestë, për shkak se ndodhet në masë sigurie vendosur nga Gjykata e Posaçme, por sikurse ka bërë çdo mbrëmje prej disa muajsh tashmë, pritet të mbajë një fjalë para mbështetësve që do të mblidhen para godinës së Kryeministrisë.
Sipas opozitës parashikohet të ketë një numër të shumtë qytetarësh, por pa dhënë shifra konkrete. Të gjithë deputetët e Partisë Demokratike që organizojnë këtë protestë, deklarojnë se ajo do të shprehë revoltën qytetare me qeverinë, por do të jetë paqësore.
Këtë të martë, personi kryesor në shënjestër të opozitës, kryeministri Edi Rama, ndodhet në Turqi me një delegacion qeveritar, ku u prit nga Presidenti Erdogan.
Për mbarëvajtjen e kësaj proteste janë angazhuar një numër i konsiderueshëm efektivësh të Policisë së Shtetit, por edhe forcat speciale dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, për të shmangur çdo incident.
Na ndiqni live në Facebook dhe YouTube për zhvillimet e fundit. (A2 Televizion)