Komisioni i ligjeve i dha dritën jeshile projektligjit për Amnistinë Penale, rruga e të cilit drejtë miratimit në seancë plenare duket se është vështirësuar edhe më shumë. Shkak për këtë është braktisja e mbledhjes që i bëri Enkelejd Alibeaj duke akuzuar maxhorancën se kishte ndërhyrë në amendamentet e paraqitura nga ai.
Qëllimi i PD-së zyrtare ishte falja e të protestuesve të PD-së në vitet 2018-2020 që janë dënuar apo vijojnë të ndiqen penalisht, por për maxhorancën falja nuk duhet t’i përfshijë të gjithë.
Përballë këtyre ndryshimeve Alibeaj kërkoi kohë për shqyrtimin e tyre. Kësaj kërkese maxhoranca iu përgjigj duke i ofruar 90 minuta kohë që për demokratin ishte jo serioze, çka e shtyu të braktisë mbledhjen.
Në fjalën e tij Alibeaj u shpreh se amendamentet e paraqitura nga ai kishin pësuar ndryshime pas ndërhyrjes së relatorit të projektligjit. Kërkesa e Alibeajt u hodh poshtë nga Komisioni, i cili vijoi me miratimin e aktit.
“Unë i qëndroj propozimit tim, nuk futem në qëndrimet në propozimet tuaja, por të futem në një proces, unë nuk jam një individ, është një parti që mban përgjegjësi politike për impaktin në të ardhmen. Nuk mund të hyjmë në një proces ku deputetët e mazhorancës sjellin amandamente, ndërsa amendamentet tona nuk pranohen. Miratimi i një ligji me shumicë të cilësuar me peshkim votash individuale në Parlament, unë nuk ua këshilloj, por nuk është në të mirin e legjitimitetit të një akti”, u shpreh deputeti i PD-së, Enkeled Alibeaj.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2.2 mijë të dënuar me shërbim prove.
“Ne kemi statistika se kush janë kategoritë përfituese dhe e kemi shumë të saktë. Kemi kërkuar amnisti sepse kemi 2200 persona të dënuar dhe 11 mijë të dënuar me shërbim prove. Nëse kjo merr votë në parlament, përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2.2 mijë të dënuar me shërbim prove. Për zbritjen me një vit të dënimit që përfitojnë gratë dhe të miturën, po ashtu përfitojnë nga 1200 në 1600 persona të dënuar. Lidhur me personat që janë në hetim apo gjykim, nëse tejkalojnë rregullin për dënime deri në 2 vite nuk do të ketë subjektivizma, për të tjerët më pas që hynë te krimet, kjo do të shikohet me shumë kujdes. Në relacionin e dorëzuar në Kuvend, kemi të gjitha mendimet e institucioneve të drejtësisë. Statistika se sa është numri i personave në hetim apo gjykim për kundërvajtje penale që përfshin amnistia është publike”, u shpreh ministri Manja.
Maxhoranca vijoi e vetme miratimin e ligji duke dhënë dritën jeshile edhe ndryshimeve që rrisin numrin e përfituesve. Kësisoj, përfitues të Amnistisë Penale janë të gjithë personat që kanë marrë dënim të formës së prerë deri në 31 janar 2024 dhe që vuajnë dënimin me 4 vite heqje lirie për burrat dhe 5 vite heqje lirie për gratë.
Krahas kësaj, bujaria e socialistëve u shtri edhe te personat e dënuar në bazë të nenit 75/A të Kodit të Procedurës Penal, që janë subjekt i SPAK dhe Gjykatës se Posaçme, duke vendosur uljen e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë.
Nga kjo ulje nuk përfitojnë te dënuarit për krime kundër jetës dhe dhunës në familje. Miratimi final i aktit do të bëhet të enjten në seancë plenare, ku gjetja e 84 votave duket një mision edhe më i vështirë pasi amendamentet e demokratëve të Lulzim Bashës nuk u morën plotësisht në konsideratë nga shumica dhe këta të fundit ishin ofruar për konsensus politik. (A2 Televizion)