Opozita do të dalë në shesh, pasditen e sotme, në kryeqytet, në një manifestim kundër qeverisë që pritet pas shumë kohësh të ketë pjesëmarrje masive.
Prej dy vitesh, dy nga fraksionet e partisë më të madhe opozitare ajo e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit vijnë bashkë në këtë tubim, me partitë e vogla opozitare, partinë e Ilir Metës, teksa mungon Lulzim Basha dhe ata njerëz që janë rreth tij.
Në orën 17:30, kryeqyteti pritet të mbushet me njerëz të shumtë, të cilët si çdo herë, do të kenë numra të shumtë dhe nga rrethet, kjo edhe për shkak të takimeve që drejtuesit e opozitës zhvilluan me strukturat ku kërkuan organizim dhe pjesëmarrje masive.
I munguari i madh do të jetë Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit 2023 qëndron në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit. Që prej asaj dite, ish-kryeministri ka dalë çdo natë në dritare ku iu ka kërkuar mbështetësve të tij rezistencë ndaj atij që ai e quan regjim të Edi Ramës.
Kryeministri Edi Rama, teksa opozita do të protestojë, edhe njëherë ka zgjedhur të jetë jashtë Tiranës. Kësaj here, ai do të udhëtojë në Turqi, ku pritet të ketë një takim me presidentin Erdogan, gjatë së cilit do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje dypalëshe.
Ashtu edhe si herët e tjera, masat e policisë së shtetit për protestën e opozitës do të jenë maksimale. Mbi 1000 efektivë pritet të jenë në terren për mbarëvajtjen e rendit, teksa dyert e kryeministrisë janë blinduar sërish, është hequr nga sheshi dhe kërpudha e famshme, e shkatërruar në një protestë të ngjashme të opozitës. (A2 Televizion)