Në momentin që do të hyjë në fuqi, nga Amnistia Penale do të përfitojnë 3150 të burgosur. Detajet rreth kategorive që përfitojnë nga ky ligj i dha në studion e “Ditari” me Bruna Çifligun, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ismail Shehu.
Siç shpjegoi Shehu, të burgosurit që do të përfitojnë janë të ndarë në dy kategori: ata që janë të dënuar me dënime alternative të cilët janë diku tek 2070, dhe 1072 persona të tjerë që janë të dënuar me burgim.
Prej këtyre të fundit afërsisht 600 të dënuar do të lirohen menjëherë nga hyrja në fuqi e ligjit dhe 400 të tjerë do të fitojnë ulje dënimi me 1 ose 1.5 vite.
Ndërkohë që është edhe një kategori e tretë që përfiton, që janë personat që janë aktualisht në ndjekje penale. Sipas Shehut, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm personash, të dhënat rreth të cilëve i disponojnë aktualisht prokuroritë dhe gjykatat.
Por kush përjashtohet në mënyrë kategorike nga amnistia penale?
Janë katër kategori të dënuarish të cilët nuk mund të përfitojnë në asnjë rast. Më konkretisht: ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm, subjektet që janë në ndjekje penale nga SPAK si dhe ata persona që janë të dënuar me vendim penal të formës së prerë për vrasje në rrethana cilësuese. Dhe, kategoria e fundit, ajanë ata që i shmangen drejtësisë.
Kriteri kryesor për të dënuarit që përfitojnë është që vendimi që është marrë për ta te jetë i formës së prerë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë e pranoi se burgjet janë të mbipopulluara dhe aministitë mund të jenë vetëm një zgjidhje e përkohshme.
Zgjidhje sipas tij, do të ishte ndjekja e një tjetër politike penale.
“Të mos shkojmë direkt te masa e burgut apo paraburgimit. Duhet të shkojmë drejt masave alternative si puna në komunitet apo në shërbim të moshuarve.”
(A2 Televizion)