Nën hetim për dosjen e sterilizimit, SPAK sekuestron pasuritë e biznesmenit Ilir Rrapaj

Nga Armand Bajrami
8 Shkurt 2024, 13:19 | Aktualitet

Nën hetim për dosjen e sterilizimit, SPAK sekuestron pasuritë e

Gjykata e Posaçme vë në sekuestro pasuritë e biznesmenit Ilir Rrapaj, person në hetim në çështjen e "sterilizimit".

Me kërkesë të SPAK, Rrapajt i janë sekuestruar 40 % të aksioneve në shoqërinë "Sani Service", 100 % te kuotave në shoqërinë "Globalsher", 2 llogari bankare të "Globalshër" në vlerat 285 mijë euro dhe 113 mijë lekë, 13 automjete dhe një apartament në Vlorë.

Rrapaj zotëron pjesën dominuese të shoqërisë “SaniService”, që ka fituar koncesionin 10-vjeçar të sterilizimit. Për SPAK ai akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda”, në bashkëpunim.

Përveç Rrapajt në qeli për sterilizimin është ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Gjashtë të akuzuarit e tjerë të dosjes, mes të cilave edhe rektori i Mjekësisë, Arben Gjata, dhe ish-ministri Ilir Beqaj po hetohen në masa më të buta sigurie.

Njoftimi i plotë
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020, që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Siç kemi njoftuar më parë opinionin publik, në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale edhe shtetasi Ilir Rrapaj, si i dyshuar për veprën penale të “Mashtrim”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, si edhe të disa shoqërive tregëtare.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 46, datë 22.01.2024, ka pranuar kërkesën duke caktuar masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive si më poshtë:

Pjesës takuese prej 40 % të Shoqërisë “Sani Service” Shpk, me numër Nipti L51910021C;

Shoqërisë “Investital Llc”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë;

Shoqërisë “Globalsher” Shpk, me numër Nipti L62120029D, dhe asetet e saj, me ortak të vetëm personin nën hetim Ilir Rapaj;

Në zbatim të vendimit të mësipërm, më datë 02.02.2024,  në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi  i 40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Shpk, konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të hetuarin Ilir Rrapaj.

Në datë 06.02.2024, në zyrën qëndrore të Shoqërisë “Saniservice” shpk, në prani të Administratorit, u ekzekutua vendimi nr. 46, datë 22.01.2024, për sekuestron e 40% të kuotave që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, në pronësi dhe me përfaqësues shtetasin Ilir Rrapaj.

Në datë 02.02.2024, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi i 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” shpk, duke bërë dhe shënimet përkatëse në Ekstraktin Historik të Regjistrit Tregtar, për shoqërinë e mësipërme.

Në vijim, janë sekuestruar llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” shpk, konkretisht është sekuestruar llogaria me balancë 285,412,48 Euro dhe llogaria me balancë 113,610.93 Lek (llogari që gjendeshin në një bankë të nivelit të dytë).

Janë sekuestruar 13 (trembëdhjetë) automjete të shoqërisë ‘Globalsher’ shpk, nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj shoqërie.

Gjithashtu, në qytetin e Vlorës është sekuestruar edhe një pasuri e paluajtshme apartament në pronësi të shoqërisë “Globalsher” shpk.

A2 CNN Livestream

Dita jonë