Rama dhe delegacioni shqiptar priten me ceremoni zyrtare nga Erdogan

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2024, 15:37 | Politikë

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit në një ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial në Ankara nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Rama dhe Erdogan do të bashkëkryesojnë takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri në Ankara. Në delegacionin shqiptar bënin pjesë zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ajo e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu dhe të tjerë.

“Në këtë takim të këtij Këshilli, do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri dhe hapat e mundshëm që synojnë thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh”, shkruhet në njoftimin e bërë paraprakisht nga presidenca turke.

Krahas marrëdhënieve dypalëshe Rama dhe Erdogan pritet të shkëmbejnë pikëpamje për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Gjithashtu, mësohet se në agjendën e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, është parashikuar dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve dypalëshe.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu