Në protestën e sotme, të thirrur nga Rithemelimi është e pranishme edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Reporterët e A2CNN në terren e kanë filmuar Tabakun teksa qëndron në Bulevardin “Deshmorët e Kombit” ku janë vendosur protestuesit pasditen e 20 shkurtit.
Deri më tani, Tabaku ka qenë kryesisht e tërhequr nga aksionet e ndërmarra nga deputetet e grupimit të Sali Berishës. Deputetja është shprehur se iniciativat e opozitës i mbështet por se është kundër metodës së zgjedhur për të bojkotuar seancat plenare apo edhe për t’i pamundësuar ato.
Deputetja demokrate ka munguar edhe në mbledhjet e zhvilluara në fillim të shkurtit, pas zyrtarizimit të bashkimit të Grupimit të Gazment Bardhit dhe atij të Rithemelimit.
Megjithatë, ditën e sotme ajo ndodhet në protestë, ashtu siç është i pranishëm edhe grupimi i Gazment Bardhit, dhe anëtare të Partisë së Lirisë.
Në këtë protestë mungon aleati i Sali Berishës, Ilir Meta, dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Në një prononcim për A2 CNN, nënkryetari i PL-së, Endrit Barhimllari deklaroi se Meta mungon për shkak të angazhimeve të tij, të paracaktuara muaj më parë. (A2 Televizion)