Ka nisur me 60 minuta vonesë protesta kombëtare e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Krerët e strukturave të Rithemelimit dhe deputetët e bashkuar rishtazi kanë marshuar drejt Kryeministrisë nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Ndërkohë në shesh protestuesit shihen duke mbajtur në duar pankarta me moton “O sot o kurrë”, e cila shoqëronte edhe spotin e përgatitur nga opozita për t’i bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në tubimin poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu janë shpalosur nga mbështetësit e opozitës një sërë pankartash të tjera, ku shkruhet: “Vrasës i pluralizmit”, “Shqipërisë i dalim Zot”, “shërbëtorët e pushtetit, vrasësit e shtetit”, “Rama ik” dhe “Do e bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.
Ndërkohë, në protestë bie në sy mungesa e liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndërsa me kuriozitet pritet të mësohet mënyra si kreu i Rithemilimit, Sali Berisha do t’u drejtohet protestuesve, duke qenë se ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. (A2 Televizion)