“O sot, o kurrë!” Noka ultimatum Ramës: Ta "zhdukim" këtë sundues malinj

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2024, 18:47 | Politikë

“Rama nuk ia doli të shkatërronte opozitën dhe atë që i prishi ëndrrën për mbretërim, PD-në dhe opozitën shqiptare”. Me këto fjalë iu drejtua deputeti Flamur Noka protestuesve në bulevardin dëshmorët e Kombit, duke i dhënë ultimatum kryeministrin se opozita është gati për ta rrëzuar atë nga pushteti.

“Edhe pse na burgosi liderin tonë me një proces politike e banditesk, pa prova, pa fakte e asnjë të dhënë, jemi sot për t’i thënë Ramës që jemi këtu në këmbë, të palëkundur, të bashkuar dhe të gatshme për ta rrëzuar. Edhe pse korruptoi McGonigal për non gratën politike të Sali Berishës nuk ia doli të na nënshtrojë se ne e kemi në ADN-në tonë rezistencën edhe luftën për liri”.

Duke sjellë në vëmendje 20 shkurtin e 33 viteve më parë, ku qytetarët rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha, Noka tha se sot është dita për të çuar këtë sundues siç e cilësoi ai kryeministrin, para drejtësisë.

“Demokratët qytetarët kurajozë kanë rrëzuar 33 vjet më parë një diktator gjakatar dhe jemi gati për interesat e vendit t’i presim të njëjtën biletë pasardhësit të tij Edi Ramës. Sot është dita; o sot o kurrë. Ne kemi një mision të çojmë këtë sundues malinj aty ku e ka vendin para drejtësisë, vendin e tij do t’ia caktojë populli. Dhe ja ku është populli që do t’i bëjë gjyqin Edi Ramës”.

Për Nokën sheshi ku protestohet do të përcaktojë fundin e Ramës për të dhënë llogari për të gjitha krimet e vjedhjet në kurriz të popullit.

“Atë përfundim pa lavdi si ndëshkim që do ta japë populli që e tradhtove e shkele me këmbë e shpërfille e zhyte në varfëri. Ky shesh do të paracaktojë fundin tënd dhe ky shesh janë dëshmitarë që ti Rama do humbësh privilegjet e zyrën ku sundon, por do të nisë një periudhë e keqe e rëndë e papërballueshme se do të japësh llogari për çdo cent që u ke vjedhur shqiptarëve e krimet që ke bërë në kurriz të këtij populli e vendi dhe vuajtjet që u ke shkaktuar familjeve”.

Ai theksoi se opozita është e bashkuar dhe nuk do të ndalet deri në sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Pushteti nuk është i askujt por i njerëzve ndaj asnjë institucion nuk do të dalë kurrë mbi pushtetin e njerëzve. Jemi më të bashkuar se kurrë, siç e ka kërkuar çdo demokrat, opozitar e shqiptar i lirë e i ndershëm me këtë bashkim madhështor. Kjo është pranvera shqiptare. Ne nuk ndalemi derisa ti sigurojmë vendit tonë votën e lirë, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne do t’i fitojmë, asgjë nuk na ndal në këtë rrugë. Ju jeni pushteti, shumica e zemra e këtij vendi që do t’i jepni rrugë Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos