Pas vitit 1990, Shqipërinë e kanë vizituar 5 sekretarë të shtetit amerikan, të pestë për arsye specifike. I pari James Baker më 22 qershor 1991, vizitoi vendin tonë, 52 vite pasi Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike me SHBA-në.
U prit në Tiranë në një miting, më të madhin proamerikan në Europë pas Luftës së Ftohtë në një vend, i cili ishte pjesë e kampit komunist.
E dyta ka qenë vizita e Madeleine Albright më 18 shkurt 2000. Madeleine Albright vizitoi Shqipërinë në një kohë ku gjurmët e ‘97 ishin ende të freskëta.
Gjatë vizitës në Tiranë, Albright shprehu mbështetje jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën e sapodalë nga lufta.
Në atë kohë, qeveria e Tiranës drejtohej nga Ilir Meta.
I treti sekretar amerikan i shtetit që vizitoi Shqipërinë ka qenë Colin Powell më 29 prill 2003. Sekretari Powell zgjodhi Tiranën si vendin ku do të firmoste “Kartën e Adriatikut” ose paradhomën për hyrjen në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.
U zgjodh Tirana si vend i firmosjes së paktit, pasi tashmë ishte përcaktuar prioriteti i qendrës proamerikane në Ballkan që ishin as më pak e as më shumë, por pesë ish-vilajetet e ish-Perandorisë Osmane.
Vlerësoi Shqipërinë si aleate në koalicionin kundër Irakut, kur shtrohej diskutimi nëse SHBA-ja duhet të bënte luftë atje apo jo.
Në atë kohë, qeveria e Tiranës drejtohej nga Fatos Nano.
Hillary Clinton ishte e katërta në radhën e sekretarëve të shtetit amerikan që vizitoi Shqipërinë, më 1 nëntor 2012. Ndalesa e saj në Tiranë ishte pjesë e turit mesdhetaro-ballkanik.
Nga parlamenti shqiptar, sekretarja amerikane përcolli mesazhin: “SHBA-ja ka qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”.
Znj. Clinton u takua me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës në atë kohë, Edi Ramën.
I pesti ka qenë John Kerry. Ai vizitoi Shqipërinë më 14 shkurt 2016. Mbërriti në Tiranë kur kryeministër ishte Edi Rama, për të nxitur reformën në drejtësi.
“Reforma në Drejtësi është jetike. Shqiptarët duan gjyqtarë e prokurorë që i përmbahen ligjit e jo partisë në pushtet. Vendi po lëviz në drejtimin e duhur”, deklaroi Kerry.
Vizita e tij dhe agjenda në Tiranë zgjati 4 orë.
Sot më 15 shkurt 2024, Anthony Blinken, viziton Tiranën. Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. (A2 Televizion)