Projektligji për surrogacinë, Berisha kërkon ndihmën e BE për ta ndaluar: Projekt monstruoz

Nga Anesti Barjamemaj
10 Maj 2024, 15:26 | Politikë

Projektligji për shëndetin riprodhues që synon ligjërimin e surrogacisë, për Sali Berishës është një projekt monstruoz.

Në një takim të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike, ku ai vetë mori pjesë përmes teknologjisë, projektligji u kundërshtua edhe nga ekspertë të fushës.

Kreu i Rithemelimit e quajti një projekt kundër kombitpropozimin e qeverisë, duke kujtuar se Parlamenti Evropian e ka kundërshtuar këtë nismë.

“Tani zgjedh konceptin e fermës apo fasonerisë për nënën shqiptare. Zgjedh konceptin e dekonfigurimit të plotë të familjes. Kjo është një përpjekje jashtë çdo lloji imagjinate. Unë përshëndes Parlamentin Evropian që në një akt të përgjegjshëm, me një shumicë të jashtëzakonshme votash, shpalli surrogacinë që do të instalojë në Shqipëri Edi Rama me ligjin e tij, një krim evropian”.

Akuzat e Berishës shkuan edhe më tej, pasi sipas tij nisma ligjore është një përpjekje për të përshpejtuar shkatërrimin e kombit shqiptar.

“Hap diapazonin për abortin, për vrasjen e foshnjave. Me qëllimet më të mbrapshta, më antikombëtare, më çnjerëzore. Në një kohë kur standardi ekzistues është një standard botëror. Edi Rama nuk ndalet vetëm në konceptet e tij antifamilje, antishqiptare, por tani kërkon me ligj të nxisë sterilizimin në një vend në të cilin ka tre vite që vdekjet dominojnë mbi lindjet”.

Duke garantuar se forca politike që drejton është kundër kësaj nisme dhe qëndron gjithmonë për mbrojtjen e familjes, lideri i Rithemelimit pati një thirrje edhe për ndërkombëtarët.

 “I bëj thirrje BE-së të ndalojë një politikë të tillë në këto vende që po boshatisen nga regjimet dhe klikat e tyre.”

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, e pyetur për këtë nismë ka deklaruar se projektligji reflekton praktikat ndërkombëtare dhe garantoi se do merren për bazë edhe mendimet e ekspertëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos