Gazetarja Fjorela Beleshi zbuloi detaje mbi organizimin e protestës qytetare, duke deklaruar se brenda grupit nismëtar ka pasur persona që kanë bërë thirrje për dhunë dhe përshkallëzim të situatës, por që sipas saj janë larguar nga organizatorët.
Ajo tha gjithashtu se, edhe pse askush nuk ka dalë publikisht si drejtues i protestës, organizatorët kanë arritur të mobilizojnë qytetarët dhe të mbajnë gjallë kërkesat e tyre.
Në një raportim për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Beleshi u shpreh se për shkak të ndërhyrjeve dhe përplasjeve të brendshme, grupi organizator po reduktohet në një rreth më të ngushtë.
“Publikisht asnjë s’ka dalë hapur për të thënë që jemi ne në krye të kësaj proteste, por ia kanë dalë t’i mbledhin njerëzit dhe për të vijuar me kërkesat e tyre. Pavarësisht se duhet të themi se ka pasur disa problematika dhe në disa kontakte që unë kam patur me disa prej tyre, brenda grupit nismëtar apo organizator, ka pasur njerëz që kanë qenë për dhunë apo ka pasur njerëz që kanë dashur të shkaktojnë konflikte. Ata i kanë larguar dhe për këtë arsye situata apo grupi organizator, po arrihet të shkohet drejt një grupi më të ngushtë për shkak të këtyre interferencave”.
Gazetarja komentoi edhe praninë e drejtuesve të partive të vogla në protestë, duke vlerësuar se ata po e përdorin tubimin si një mundësi për të zgjeruar kontaktet dhe mbështetjen politike.
“Pavarësisht se janë të pranishëm, qëndrojnë larg podiumit dhe janë me njerëzit e partisë së tyre. Në momentin që po bëja një inspektim në bulevard disa prej tyre kryetarët e partive, ishin duke bërë muhabet të qetë, në buzëqeshje, një bisedë që s’i ngjahasonte një proteste. Ata po përfitojnë nga protesta për të takuar sa më shumë njerëz dhe të rinj”.
(A2 Televizion)