Rama: Sot nuk duhet ushtri për destabilizimin e një vendi, manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 09:50 | Politikë

Rama: Sot nuk duhet ushtri për destabilizimin e një vendi, manipulimi

Kryeministri Edi Rama, në konferencën “Shqipëria drejt BE e ndërhyrja e huaj”, deklaroi se sfidat e sigurisë sot nuk lidhen më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe besimit të qytetarëve te institucionet.

“Në pamje të parë, kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet dhe ekosistemet e informacionit. Në realitet, ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, me besimin e publikut dhe me faktin që shoqëritë e lira zotërojnë strategjinë e mbrojtjes. Sot, ne duhet të mbrojmë diçka të padukshme, sakaq jetike: hapësirën ku qytetarët tanë shkëmbejnë gjykimin dhe bëjnë zgjedhjet e tyre të lira”, tha Rama, shkruan A2.

Sipas tij, fuqia e një shteti nuk matet më vetëm me ushtrinë, por gjithnjë e më shumë me aftësinë për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të ruajtur besimin te institucionet: “Fuqia nuk matet më vetëm me fuqinë e ushtrive, e kjo është diçka së cilës në mënyrë obsesive i kthehem në çdo bisedë që zhvilloj me aleatët dhe partnerët tanë, kur vjen fjala për shpenzimet e mbrojtjes. Fuqia gjithmonë e më tepër matet edhe me diçka tjetër, me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin dhe për të krijuar besimin te institucionet”.

Kryeministri u shpreh se manipulimi nuk ka një “uniformë” me të cilën mund ta dallosh, por vjen përmes formave moderne si trende, video dhe nga ndihma e inteligjencës artificiale.

“Sot manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritmi, i nxitur e i fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Thelbi është se nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend“, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos