Themeluesi i “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj mendon që kryeministri Edi Rama nuk është i lirë që të japë dorëheqjen, edhe sikur ai të dojë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ish-deputeti theksoi se kryeministrin nuk e lënë që të japë dorëheqjen.
Duke analizuar fjalimin e Ramës në lidhje me besën, Alibeaj tha se Rama është i kthjellët për problemin e madh që i ka lindur, dhe potencialin që ka sheshi i protestës qytetare.
“Unë nuk jam nga ata që besoj se në këtë situatë Rama është nga ata që jep dorëheqjen. E besoj kështu. Pse? Nuk është i lirë ai të japë dorëheqje, edhe po të dojë. Rama është nga ata që s’jep dorëheqjen. Nuk e lënë që të japë dorëheqjen. Unë besoj një gjë, nga fjala që unë lexova, pashë, e Ramës, kur fliste për besën, kuptova një gjë… Kuptova kthjelltësinë e Ramës për problemin e madh që i ka lindur. Njohës i saktë deri në detaje, se çfarë potenciali të madh ka ai shesh. Rama ka kuptuar fare mirë që ka një problem të madh aty poshtë, s’janë vetëm ata dy mijë veta që dalin përditë. Apo 50-60 mijë që erdhën. Ai ka kuptuar një gjë të madhe, që po i ndodh një transformim i madh i mentalitetit të shumicës së shqiptarëve që deri dje prej frikës, klientëlizmit, mungesës së alternativës, e votonin. Sot ka kuptuar që po ndodh një ndriçim i shumicës së shqiptarëve që kurdo të jenë zgjedhjet s’do ta votojnë”, tha Alibeaj.
(A2 Televizion)