Raporti i DASH për sigurinë: Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbeten problem në Shqipëri

Nga Rosalba Bejdo
28 Korrik 2026, 14:10 | Politikë

Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten ndër sfidat kryesore në Shqipëri, sipas raportit të fundit për sigurinë të OSAC, strukturë e lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Raporti vlerëson rritje të kriminalitetit me 17 përqind në vitin 2025, kryesisht për shkak të krimeve të lidhura me drogën, mashtrimeve, e armëmbajtjes së paligjshme, ndërsa Tirana renditet si qytet me kërcënim të mesëm, shkruan A2. 

Sipas DASH, korrupsioni në administratë dhe drejtësi e po ashtu pandëshkueshmëria mbeten një problem: “Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Që nga krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019, është rritur numri i arrestimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve që kryejnë abuzime. Megjithatë, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë të shmangin ndjekjen penale. Korrupsioni vazhdon të jetë një problem serioz në institucionet e paraburgimit dhe burgjet, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe përfitimin e programeve të posaçme të lirimit”.

Teksa vëren se zgjedhjet e mëparëshme kanë pasur probleme me ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ciklet e fundit zgjedhore sipas raportit, kanë treguar përmirësim, me një proces më të balnacuar.

Lidhur me zgjedhjet e 2025, solli në vëmendje raportin e ODIHR me shqetësimin për ndikimin e administratës në fushatë: “Në veçanti, ata vunë në dukje se procesi zgjedhor u karakterizua nga keqpërdorimi i burimeve publike nga partia në pushtet, përdorimi i gjuhës përçarëse nga dy partitë kryesore politike, mungesa e transparencës në financimin e fushatave elektorale dhe mbulimi i pabalancuar mediatik ndaj partive më të vogla”.

Raporti vlerëson se demostratat dhe protestat politike kanë qënë kryesisht paqësore edhe pse në të kaluarën kanë rezultuar në dhunë. Ai përmend protestat masive të vitit 2026 kundër projekti luksoz në Sazan e Zvërnec, që siç thuhet kanë përshkallëzuar në manifestime kundër qeverisë dhe korrupsionit e me raste janë bërë të dhunshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos