
Të martën në IEVP e Durrësit, tre avokatë, dy prej të cilëve anglezë, Ben Brandon dhe Celia Marr, takuan klientin e tyre Erion Veliaj. Edhe pse prej kohësh ishte kërkuar kontakti me Erion Veliajn, ai u bë i mundur vetëm sot, me miratimin e SPAK, i cili autorizoi vizitën në IEVP Durrës.
Qëllimi i tyre ishte të bënin një rezyme të procesit të Erion Veliajt dhe, sipas avokatit Ben Brandon, takimi ishte i pari me klientin e tyre. U bë e ditur se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për masën e sigurisë që i është caktuar Erion Veliajt, “arrest në burg”, duke kërkuar një masë më të butë që t’i mundësojë të vazhdojë edhe detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio tjetër ligjore amerikane, avokatët e së cilës ende nuk kanë marrë miratimin e SPAK për të takuar Erion Veliajn.
Ndërsa avokati Plarent Ndreca konfirmoi edhe një herë vendimin për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Ai tha se presin miratimin që edhe avokatët amerikanë të kontaktojnë Veliajn. Sipas Ndrecës, mbrojtja do të atakojë edhe çështjen e akuzuesit anonim, si dhe do të kundërshtojë emërimin, që e konsideron antikushtetues, të prokurorit të çështjes, Olsi Dado.
“Kemi besim se do t’i fitojmë të gjitha çështjet, si rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, rikthimin në krye të Bashkisë dhe do të vazhdojmë hap pas hapi me çështjet e tjera”, u shpreh Plarent Ndreca. (A2 Televizion)