Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës kthehet në mollë sherri në çdo fushatë zgjedhore. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në tryezën e thirrur nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, kërkoi që në ndryshimet e ligjit të mos ketë hapësira për interpretim.
“Ka nevojë për një filozofi të re rregullatore. Kjo filozofi duhet të mbështetet në tre parime themelore. Së pari, ligji duhet të jetë i qartë. Së dyti, kompetencat mbikëqyrëse duhet të jenë efektive dhe, së treti, përgjegjësia duhet të jetë reale dhe proporcionale”, tha Celibashi, përcjell A2 CNN.
Në prani të ekspertëve, mazhoranca vuri theksin te balanca mes nevojës institucionale për të komunikuar me qytetarët dhe logjikës elektorale.
“Si të arrijmë një balancë të drejtë mes nevojës për të qeverisur, por njëkohësisht edhe të mos krijojmë avantazhe të padrejta. Është një balancë nganjëherë e vështirë, sepse nuk besoj se ndonjë zgjidhje absolute jep rezultat në dobi të zgjedhjeve. Keqpërdorimet mund të ndodhin në çdo vend, por njëkohësisht kjo tregon edhe kufijtë e fuqisë së tyre, kur ka erë ndryshimi apo kur partia në pushtet e ka të pamundur të ndikojë në mënyrë përfundimtare në zgjedhje”, tha Gjiknuri
Për demokratët, ashpërsimi i ligjit nuk funksionon pa sanksionimin e shkeljeve. “Eventualisht kishim një kornizë ligjore që duhej të ishte më e fortë, por në vitin 2020 aq ishte e mundur, për shkak të kompromisit në Këshillin Politik, një organ joparlamentar, për të miratuar. Edhe atë që kemi sot, ODIHR thotë se interpretimi ka qenë i ngushtuar. Kemi edhe akte rregullatore, por në fund numri i ankesave nuk korrespondon me numrin e sanksioneve. Nuk mund të vazhdojmë ta bëjmë kornizën gjithnjë e më të rëndë, ndërkohë që, nga ana tjetër, asgjë nuk zbatohet”.
Përfaqësuesit e BE-së dhe OSBE-së kërkuan që të adresohen zgjidhjet e nevojshme për të garantuar barazinë mes palëve gjatë procesit elektoral. (A2 Televizion)