
Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të shtyjë deri më 30 nëntor afatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pas kërkesës së dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi bëri të ditur në një lidhje për A2 Puls me Bruna Çifligun se Komisioni do të vijojë punën në vjeshtë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, financimin e partive politike dhe zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
“Sa herë është ngritur komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore, asnjëherë nuk e ka përfunduar punën në mandatin e parë apo në kohën që ka pasur fillimisht dhe ka kërkuar shtyrjen me konsensus të dy bashkëkryetarët Damjan Gjiknuri i Partisë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike. Të dy bashkëkryetarët kanë kërkuar që deri më 30 nëntor të shtyhet puna e komisionit dhe është miratuar nga konferenca e kryetarëve. Ndryshe nga reformat territoriale, reforma zgjedhore do të vijojë punën edhe sesionin tjetër parlamentar në vjeshtë ku pritet që tashmë të ketë edhe disa muaj kohë për të bërë të gjitha ndryshimet dhe për të arritur edhe dialogun që ata kërkojnë mes tyre edhe me kërkesën e ndërkombëtarëve”.
Gazetarja e A2 CNN tha se puna e komisionit do të fokusohet në dy drejtime kryesore, ku prioritet mbetet ligji për financimin e partive politike nga palë të treta, i kërkuar nga Bashkimi Europian.
“Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore të punojë në dy korsi. E para ka të bëjë me ligjin për financimin e partive politike, i cili është një ligj i kërkuar nga ana e Bashkimit Europian në kuadër të integrimit të Shqipërisë drejt Brukselit, ku tashmë ka edhe dy opinione si nga ODIHR edhe nga Venecia. Ekspertët të dyja palëve do duhet që të marrin të gjitha të dhënat, apo gjithë opinionin e të dyja organizatave ndërkombëtare, që më pas t'i implementojnë në ligjin e parë ku të dyja edhe ODIRHI dhe Venecia i thanë politikës shqiptare që ligji i paraprak që ato kishin bërë, drafti paraprak ishte shumë i butë dhe duhet të forcohet sidomos për financimin e partive politike nga palët e treta do duhet që të bëhen ndryshime”.
Në fund të korrikut janë planifikuar tryeza pune me ekspertët e reformës zgjedhore dhe ODIHR-it, ndërsa do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore për integritetin e zgjedhjeve dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Do të ketë dhe dy tryeza në fund të këtij muaji me 28 dhe 29 korrik, si me ekspertët e reformës zgjedhore gjithashtu dhe ekspertët e ODIHR, përsa i përket financimit të partive politike, por nga ana tjetër do të kemi edhe tryezë më datën 22 për sa i përket integritetit të zgjedhjeve dhe një seancë dëgjimore me policinë e shtetit, përsa i përket ndryshimeve që do të ketë në Kotë. Ka nisur tashmë seancën dëgjimore dhe ka bërë një kalendar komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ku fillimisht ka raportuar disa javë më parë edhe kreu i SPAK, gjithashtu prokurori i përgjithshëm dhe një sërë institucionesh të tjera për të parë dhe për të dhënë ata propozimet e tyre se si mund të jetë një proces me integritet”.
Gazetarja Beleshi theksoi se përpos financimit të partive politike, Komisioni i Reformës Zgjedhore do dua që të punojë për sa i përket rekomandimeve të ODIHR, i cili është dhe ky një kusht nga ana e Brukselit përsa i përket reformës zgjedhore dhe rrugës së integrimit të Shqipërisë.
(A2 Televizion)