Zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole është liruar nga detyrë me një vendim të marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Ajo qëndronte në këtë detyrë prej 3 nëntorit të vitit 2021, kohë kur zëvendësoi të shkarkuarin Oltion Rrumbullaku.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Znj. Albana Tole, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”
Në shtator të këtij viti, Tole u vendos në qendër të akuzave nga PD e Rithemelimit, për një tender të aprovuar pa garë sipas tyre nga Ministria e Mbrojtjes.
Zëdhënësja e Rithemelimit, Genta Vangjeli në një dalje për mediat akuzoi zv/ministren e Arsimit se nëpërmjet kompanisë së familjes ka fituar tenderin e shpallur më datë 3 korrik 2023 për “Blerje materiale për xhenion”. Tole zotëron 15% të aksioneve në kompaninë në fjalë, ndërsa procedura tenderuese kapte shifrën e 64.342 milionë lekë, (të reja).
"Ministria e Mbrojtjes për këtë procedurë shpalli fitues ofertuesin e vetëm me vlerë 64.3 milion leke ose pothuajse 97% e fondit limit. Informojmë publikun se në zotërim aktiv të aksioneve të kesaj shoqërie rezulton pronare me 15% zv.Ministrja e Arsimit Albana Tole në këtë detyre prej nëntorit 2021. A ishte në dijeni të këtij fakti Autoriteti Kontraktor i cili shpalli fituesin për prokurimin e mësipërm? Nga transaksionet e Thesarit rezulton se gjatë vitit 2022 dhe 2023 Tirana Due shpk ku është pronare aktive edhe zv.ministrja, ka përfituar 555.306.360 milion lekë të vjetra të gjitha nga Ministria e Mbrojtjes (Reparti Ushtarak Nr.4300 Tirane)“, tha ajo. (A2 Televizion)