Demokracia shqiptare gjatë vitit 2023 mori një tjetër provim të vështirë, organizimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, proces të cilit vëzhguesit ndërkombëtarë nuk i dhanë më shumë se një notë kaluese. Procesi elektoral i cili në opinion u reklamua si zgjedhje në të cilën do të rikthehej demokracia në pushtetit vendor pas katër vitesh qeverisje nga socialistët, u shoqërua me shumë akuza, sidomos në momentin kur dolën fituesit.
Partia Socialiste fitoi 54 nga 61 bashki, çka tregoi një dominim total të elektoratit shqiptar, aq më shumë kur brenda tufës së bashkive të fituara ishte Shkodra, bastioni demokrat që Edi Rama e kishte ëndërruar shumë për ta pasur nën kontroll.
Si çdo proces tjetër elektoral në 10 vitet e fundit, humbësit nuk kanë pranuar asnjëherë rezultatin, por e kanë kontestuar si të manipuluar. Për të vlerësuar proceset elektorale në Shqipëri, politika ka zgjedhur misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR i cili tre muaj pas përfundimit të procesit prezantoi një raport ku evidentonte një sërë problematikash.
Akuza kryesore që u ngrit në opinionin publik ishte ajo për shitblerjen e votës. Vetë OSBE/ODIHR në raport shkroi të zezën mbi të bardhë se kjo çështje duhet të adresohet me prioritet nga autoritetet shqiptare, por pa thënë nëse kishin evidentuar me sytë e tyre raste të tilla, duke ia lanë akuzave publike.
“Autoritetet duhet të bëjnë përpjekje reale për të rritur ndërgjegjësimin për fenomenin e hershëm të blerjes së votës dhe rreziqet që sjell ajo për integritetin e zgjedhjeve. Denoncimi publik i praktikave të tilla para dhe gjatë fushatës nga aktorët kryesorë, duke përfshirë zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e partive, mund të shërbejë për frenimin e këtij fenomeni”, raportoi ODIHR.
Shit-blerja e votës është një fenomen që prej disa procesesh elektorale renditet në raportet e ODIHR si rekomandim prioritar i cili ka tensionuar edhe më shumë klimën e organizimit të proceseve elektorale në Shqipëri.
Intimidimi i votuesve ishte një element tjetër të cilin Raporti i ODIHR e evidenton për këtë proces elektoral më fortë se herët e tjera. Në dokument shkruhet qartë që persona të paautorizuar qëndronin jashtë qendrave të votimit duke intimiduar zgjedhësit për të votuar për një kandidat apo forcë të caktuar.
“Persona të paautorizuar, zakonisht aktivistë partiakë, ishin të pranishëm në 4 për qind të qendrave të vëzhguara të votimit, kurse në 6 përqind prej tyre, persona që nuk ishin anëtarë të KQV-ve, kryesisht vëzhgues dhe aktivistë partiakë, ndërhynin ose drejtonin procesin e votimit. Tensione apo shqetësime u raportuan në ambientet e jashtme të 2 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara dhe brenda 2 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara. Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit vëzhgoi raste presionesh ndaj zgjedhësve në 1për qind të qendrave të votimit të vizituara”, u shpreh ODIHR.
Përdorimi i aseteve publike dhe administrata zgjedhore në zgjedhje vijojnë të jetë shqetësuese në proceset elektorale shqiptare, nga të cilat nuk shpëtuan as vendoret e 14 majit. Përgjatë gjithë fushatës elektorale u ngritën akuza të forta ndaj maxhorancës socialiste, sidomos përsa i përket aplikacionit të ngritur prej tyre me emrin “Aktivisti”, ku mbështetësve, kryesisht njerëz të administratës publike, u kërkohet t’u bëjnë jehonë pozitive me komente dhe pëlqime, lajmeve apo zhvillimeve të lidhen me fushatat dhe performancën e mazhorancës. Përdorimi i këtyre burimeve administrative, për ODIHR, cenon garantimin e një gare të barabartë.
“Dispozitat ligjore në lidhje me fushatën, duke përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, duhet të rishikohen për të hequr paqartësitë dhe për të garantuar një garë të barabartë. Autoritetet, duke përfshirë administratën zgjedhore dhe organet e zbatimit të ligjit, duhet t'i trajtojnë të gjithë garuesit në zgjedhje në mënyrë të barabartë”, u shpreh ODIHR.
Për të përmirësuar proceset elektorale në Shqipëri, që nga parlamentaret e 2021është implementuar identifikimi elektronik i votuesve, por që në vendoret e 14majit jo gjithçka shkoi mirë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk mundi të votojë në fillim pasi pajiset e identifikimit kishin pësuar një defekt i cili kërkoi kohë për tu zgjidhur. Vetë institucioni për të gjetur se çfarë prodhoi problemin kontraktoi një kompani për të audituar pajisjet. A2 CNN iu drejtua institucionit të KQZ duke marrë në dorë këtë raport auditi nga i cili rezulton se problematikë kryesore ka qenë mostransferimi i të dhënave në kohë.
Por problematikë në këtë proces elektoral ishte edhe sjellja e komisionerëve të partive politike të cilët në masë nuk u paraqitën në qendrat e votimit në 14maj duke detyruar KQZ t’i zëvendësojë me stafin e saj. Kjo nuk kaloi pa u parë nga Misioni i Monitorimit të OSBE ODIHR i cili për të disatin vit radhazi i kërkon me prioritet parlamentit që të depolitizojë administratën zgjedhore.
Përballë të gjithë këtyre problematikave të evidentuara nga vetë ndërkombëtarët, lind sërish pyetja, sa të lira dhe demokratike ishin zgjedhjet vendore të 14 majit?
Pavarësisht se humbësit e zgjedhjeve nuk e njohën fituesin, urimin socialistëve për këtë proces elektoral ia dhanë me gjysmë zëri përfaqësuesit e SHBA dhe BE në Tiranë ku nëpërmjet selive të tyre diplomatike, më shumë se sa urata për punë të mbarë, vijojnë t’i bëjnë apel parlamentit për miratimi ne një reforme zgjedhore në mënyrë që testet demokratike të marrin nota më të larta se sa kaluese. (A2 Televizion)