“Thonë s’kemi lekë dhe japin 4 milionë euro”, Krasniqi: Të sjellë qeveria këngëtarë, kjo nuk ka ndodhur në historinë e Europës

Nga A2 CNN
9 Korrik 2026, 23:42 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi deklaroi se qeveria për shumë gjëra thotë se nuk ka lekë, por ndërkohë jep 4 milionë euro për një koncert, duke iu referuar koncertit të Kanye West në Tiranë.

“E para, akti normativ është shpikur kur Parlamenti nuk është i mbledhur dhe kur qeveria ka një nevojë emergjente. Në rastin konkret, Parlamenti është i mbledhur dhe nuk ka një argument që ka një nevojë emergjente. E dyta, ministri i Financave raportoi në Parlament një javë përpara dhe tha: “Zero lekë jep qeveria shqiptare për këtë koncert”. Tani, ministri i Financave ka një detyrim të vijë në Parlament, t'u thotë deputetëve o nuk ka ditur gjë, o i ka gënjyer. Diçka duhet të thotë sepse janë paratë e taksapaguesve dhe është njeriu që mban paratë tona dhe ka një përgjegjësi publike dhe funksionare. E treta, nuk ndodh në asnjë vend të botës që ministri i Kulturës të jetë organizator i një koncerti. Ministri i Kulturës shpall akte, përkrah nisma, por nuk merret me detajet si u ndërtua, ku u ndërtua, me ujin që tha se është marrë para ca ditësh se nuk kishte”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Duhet të ndajmë shtetin me privatin. Lëreni kompaninë private të bëjnë punë dhe shteti të marrë përgjegjësinë e vet. Pastaj, se si ne e marketojmë dhe sa janë përfitimet, duhet të kishte një plan publik që t'ia thotë qytetarëve që ne presim këtë gjë, është bërë për këtë arsye që ta justifikosh. Se t'u thuash qytetarëve nuk kemi rezerva gjaku për njerëzit që na vdesin, nuk kemi për njerëzit me kancer që nuk kanë shërbim. 35 000 euro është fondi shkencor që kemi për kërkues shkencorë në Shqipëri, se qeveria thotë “s'kemi lekë”. Ndërkohë që jep 4 milionë euro për një koncert, që nuk jam i sigurtë që do i marrim mbrapsht ato para. Dhe elementi tjetër është që ka vende që kanë traditë. Shqipëria duhet të mësohet edhe të marrë përsipër aq sa ka mundësi. Unë për shembull dua që në Shqipëri të bëhet samiti i NATO-s, dua të bëhet samiti i BE-së, dua të ketë kapacitete dhe mundësi për ta kthyer në ngjarje pozitive për vendin. Edhe koncerte dua që të bëhen, por duhet të ketë përvojë për ta bërë këtë gjë. Kur pashë edhe njoftimin e sotëm, që bllokohen disa rrugë… Tirana është pa asnjë mekanizëm tjetër alternativ lëvizjeje dhe të mbyllësh 1 milion vetë se do bëjmë një koncert është gjë jo e zguar në aspektin e praktikës dhe duhet të kishte hapësirë publike. Mali i Zi e ka bërë për shembull, por e ka bërë larg zonave të banuara atë koncertin e Madonës para ca vitesh. Të dalë qeveria e të thotë që do sjell këngëtar, kjo nuk ka ndodhur në historinë e Europës. Nuk merret qeveria me këngëtarë. Merre privati sepse është nismë private. Qeveria merret me sigurinë, me elementet e sjelljes institucionale dhe me elementë të tjerë. Të gjitha këto janë pasoja e shtetit privat”, shtoi Krasniqi.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos