Bashkia e Pustecit, e cila është e vetmja bashki në vend që 100% të territorit të saj e ka park natyror të mbrojtur, po haset me vështirësi serioze sa i takon sigurimit të druve të zjarrit për ngrohje. Inspektorët e drejtorisë rajonale të zonave të mbrojtura nuk kanë lejuar prerjen e druve në këtë zonë, as nga banorët dhe as nga bashkia.
Të gjendur në këto kushte dhe në pamundësi për të siguruar ngrohje me mënyra të tjera, disa dhjetëra banorë kanë protestuar pranë godinës së bashkisë.
Sipas zyrtarëve të zonave të mbrojtura, bashkia e Pustecit nuk ka një vend për magazinimin e druve që i duhet për banorët. Nga vitet e kaluara dyshohet se janë prerë më shumë dru nga sa ishin nevojat dhe për këtë arsye këtë vit nuk lejohet të priten pa kriter dru në parkun natyror kombëtar. Mirëpo, për kryetarin e bashkisë së Pustecit, kjo pikë e marrëveshjes duhet të tolerohet pasi banorët ndodhen në vështirësi serioze.
Zyrtarisht nevojat për dru zjarri për banorët e Pustecit shkojnë në rreth 8000m3, të cilat sigurohen në zonat e mbrojtura, pasi vetë bashkia nuk ka sipërfaqe pyjore në pronësi të saj. (A2 Televizion)